Ushqimet e shpejta krijojnë varësi në tru

Në epokën ku jetojmë është tepër e vështirë tu arratisesh ushqimeve kalorike dhe me yndyrë.

Menutë e restoranteve, pikat e ushqimeve të shpejta dhe raftet e marketeve janë të tejmbushura me alternativa të tilla të dëmshme për shëndetin.

Padyshim që ushqime të tilla kanë një efekt ngushëllues në kohëra stresi e të vështira, ama sa të dëmshme janë ato për imunitetin dhe të gjithë organizmin?

Jo më herët se në qershor të 2020, teksa Britania e Madhe po përballej me pandeminë e COVID-19, kryeministri Boris Johnson lajmëroi edhe nisjen e një beteje të fortë ndaj obezitetit, që në vend u identifikua si një factor kyç në vdekjet e shkaktuara prej COVID-19.

Në fakt, Johnson u kërkoi ministrave të kabinetit të përmirësojnë legjislacionin ndaj ushqimeve të shpejta e të përpunuara me të njëjtin intensitet dhe ashpërsi si duhanin.

Ligjvënësit kanë kërkuar masa më të ashpra në promovimin e ushqimeve të shpejta, ndalimin e shpërndarjes së broshurave të pikave Fast-Food në shkolla, lejimin e reklamave për ushqime të shpejta si hamburgerë, sufllaqeve e të tjera si këto vetëm pas orës 9 të mbrëmjes kur fëmijët janë në gjumë.

Një studim të cilit i referohet AgroWeb.org shpjegon se ngrënia e ushqimeve të shpejta, të përpunuara dhe me shumë yndyrë ka një ndikim shumë të fortë në tru por edhe në dëshirën për tu ushqyer shëndetshëm.

Nëse njeriu ushqehet çdo ditë me ushqime të tilla plot me yndyrë dhe të përpunuara, truri priret të diktojë më pas zgjedhjet e përditshme duke krijuar idenë se vetëm ushqime të tilla të ngopin e të kënaqin, ndërsa ato të shëndetshme nuk ia vlejnë.

Pra, truri i percepton ushqimet e shpejta dhe me yndyrë si shpërblyese e të çmuara, edhe nëse njeriu nuk ka uri.

Mirëpo, në këto ditë kur ushqyerja është një faktor thelbësor për një imunitet të fortë, asnjë njeri nuk duhet ta ketë luksin të bëjë pazar me shëndetin.

Ekspertët këshillojnë që sot më shumë se kurrë, njeriu duhet të bëjë zgjedhje të mencura për ushqyerjen duke konsumuar më shumë fruta, perime, drithëra të plota, yndyrna të shëndetshme, fara, e peshk.