Një vit më pas…

Nga Elona CASLLI

26 nëntori në kujtesën e çdo shqiptari shenjon një ditë zie. Vdiq një pjesë e jona atë ditë, ndonëse ne mbetëm gjallë. Për pak çaste, të gjithë qëndruam në paradhomën e vdekjes dhe kuptuam se një fill i hollë e ndan jetën nga vdekja.

Pas një viti nga kjo fatkeqësi natyrore, fatkeqësia kombëtare që mban emrin e Edi Ramës, na shfaqet në një Film me Metrazh të Shkurtër, ku midis persiatjesh të mjera letrare, përpiqet që papërgjegjshmerinë e tij dhe të shpurës së tij, të na e servirë si dhimbje shtrënguese që e ka kapluar.

Edi Rama ka ngatërruar Festivalin e Filmit me Qeverisjen e Vendit. Në të vërtetë kabineti i Rilindjes i ngatërron shpesh dyert.

Dyert e kuvendit i ngatërron me dyert e Festivalit të Fotografisë dhe dyert e përgjegjësisë me dyert e Lokaleve të Dasmave.

Nga Edi Rama, një vit pas tërmetit, nuk pritej një film me metrazh të shkurtër, ku personazhi të ishte ai bashkë me përjetimet e tij.

Nga Kreu i Kombit, pritej një pasqyrë e qartë e të gjitha projekteve të realizuara tashmë dhe buxhetin përkatës për çdo projekt.

Nuk ka nevojë të jesh as arkitekte dhe as inxhiniere për të kuptuar se në shembjen e një godine nga tërmeti faktori kyç është cilësia e ndërtimit, pasi nuk ka si të shpjegohet ndryshe fakti se disa godina u shembën në Durrës dhe disa të tjera jo.

Nga njohuritë modeste që kam, di që grupi i punës duke filluar që nga individi që ka lëshuar lejen e deri tek inxhinieri zbatues, mbajnë një përgjegjësi ligjore për cilësinë e ndërtimit në të tilla raste, por duke qenë se jetojmë në Shqipëri, përgjegjësia ligjore është një shfaqje e huaj dhe kam frikë se e tillë do të mbetet për një kohë të gjatë.

Nga ana tjetër, tërmeti paralajmërues shtatorit vendos para përgjegjësisë ligjore edhe ata individë që vlerësuan si godina të banueshme, godinat që u shembën më 26 nëntor, duke u këshilluar familjeve të hynin brenda, pasi këto godina nuk përbënin asnjë rrezik. Edhe në këtë rast askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.

Le të rikthehemi tek Filmi me Metrazh të Shkurtër prodhuar nga Edi Rama.

Në filmin me metrazh të shkurtër Edi Rama, duhet të shfaqej me shifra dhe me projekte konkrete të cilat në ligjëratë të drejtë duhet të përktheheshin në:

– Banesat e rindërtuara pas tërmetit dhe kosto e tyre

– Shkollat e rindërtuara pas tërmetit dhe kosto e tyre

– Kopshtet e rindërtuara pas tërmetit dhe kosto e tyre

– Banesat që do të rindërtohen pas tërmetit dhe kosto e tyre

– Shkollat që do të rindërtohen pas tërmetit dhe kosto e tyre

-Kopshtet që do të rindërtohen pas tërmetit dhe kosto e tyre

Nëse do të jeni të kujdesshëm, në video do të vini re që Edi Rama përdor veçse të ardhmen e dëftores gjatë aktrimit të tij. Fjalia fillon gjithmonë me “ Do të ndërtojmë, do të bëjmë’’ dhe e shmang bilancin e së shkuarës për të thënë që “ ndërtuam apo bëmë’.

Kurrsesi nuk pritej që ndërtesat e shembura nga tërmeti të ndërtoheshin brenda një viti, por pritej që në vend të një Filmi me Metrazh të Shkurtër alla Edi Rama, të kishte një bilanc të qartë të projekteve që janë zbatuar dhe të atyre që presin të zbatohen.

Edi Rama, fatkeqësinë natyrore të 26 nëntorit, por e përdor si platformë për të ngritur fushatën e tij elektorale për mandatin e tretë, ndërkohë që nuk bën asnjë bilanc të qeverisjes së tij për 7 vite.

Edi Rama ka qeverisur për plot 7 vite, para se të binte tërmeti dhe para se t’u kërkojë shqiptarëve mandatin e tretë për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, t’u paraqesë shqiptarëve një bilanc për qeverisjen e tij gjatë shtatë viteve.

Lind pyetja- Nëse më date 26 nëntor 2019, nuk do të kish rënë tërmet, ç’argument do të kish përdorur Edi Rama në fushatën e tij?!

Tërmeti është fatkeqësi natyrore dhe jo program elektoral.

Për sa kohë Edi Rama ka dështuar në qeverisjen e vendit pa fatkeqësi natyrore për shtatë vite, sa i besueshëm mund të jetë ky individ për një mandat të tretë?!

Post Scriptum- E ftojmë Edi Ramën të marrë pjesë në Festivalin e Filmit dhe të mos ngatërrojë qeverisjen e një vendi me prodhimin e një Filmi me Metrazh të Shkurtër.