Ndodhi edhe kjo, Veliaj kthen Bashkinë në kompani ndërtimi, do të quhet “Tirana DC”, kush janë në bord

Më 30 shtator, Këshilli Bashkiak i Bashkisë Tiranë ka vendosur krijimin e një kompanie shoqëri aksionere në pronësi të bashkisë të quajtur Tirana DC.

Sipas vendimit, qëllimi i kompanisë do të ketë “projektimi, rindërtimi, ndërtimi, zbatimi, kolaudimi i ndërtimeve të të gjitha llojeve.”

Me pak fjalë, Tirana DC do jetë një kompani tipike ndërtimi, që mbyll gjithë ciklin e ndërtimeve që nga projektimi deri tek kolaudimi i ndërtimeve.

Është shumë interesant fakti që në objektin e kompanisë dhe në statusin e saj është theksuar fjala “rindërtim” e panevojshme nga ana ligjore dhe kuptimore, por domethënëse, pasi bën të qartë që kompania mund të përfshihet në projektet e rindërtimit nga tërmeti dhe projekte të tjera të ndërtimit të godinave të reja duke prihsur të vjetra.

Kompania u themelua në 28 tetor 2020, dhe regjistrua në Qendrën e Biznesit më 3 nëntor 2011.

Kapitali themelor i shoqërisë është 50 milionë lekë (afërsisht 400 mijë euro) dhe administratori i saj është Redi Molla, i cili ka shërbyer më parë si drejtor i ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve të Tiranës.

Në bordin e kompanisëm përveç Redi Mollës janë dhe:

Arbjan Mazniku – Nënkryetar i Bashkisë Tiranë;
Laura Deliu – Drejtore në Drejtorinë Juridike të Bashkisë Tiranë.
Krijimi i kësaj kompanie vjen në një moment kur në qytet ka nisur procesi i ndërtimit të shtëpive e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Bie në sy fakti se për procesin e rindërtimit, në çdo bashki tjetër është përgjegjëse Minsitria e Rindërtimit, përveç se për procesin e rindërtimit në Tiranë. Në Tiranë përgjegjëse për rindërtimin do të jetë vetë Bashkia Tiranë, e tani me shumë gjasa kompania e re e sapokrijuar.

Tirana, sipas projekteve të prezantuara deri tani, pritet të rindërtojë disa lagje nga e para si pjesë e rindërtimit, duke prishur ndërtimet aktuale dhe rindërtuar të tjera, shumë më të larta dhe me kapacitete disa fish më të larta se numri i familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Deri më tani nuk ka pasur transparencë se përse po ndërtohen këto apartamente shtesë, apo se kush do të jetë pronari dhe menaxheri i tyre.

Duket se pikërisht për të menaxhuar dhe lehtësuar procesin e tjetërsimit të pronave dhe ndërtimin, e më pas shitjen e apartamenteve dhe hapësirave të tjera, bashkia do të përdorë kompaninë Tirana DC.