Raporti për TAP-in/ Shqipëria rrezikon të mbetet një vend transiti pa përfitime

Kalimi i gazsjellësit Trans-Adriatik nëpër Shqipëri u lakua si një mundësi për vendin dhe një masterplan për gazifikimin e vendit nxirrte në pah leverdishmërinë. Por sot kur gazsjellësi TAP ka nisur operacionet tregtare për të transportuar gaz nga Azerbajxhani drejt Europës, Shqipëria duket se nuk ka hedhur shumë hapa para për të shfrytëzuar këtë mundësi. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vlerëson se, nëse nuk bëhen këto hapa, vendi ynë mund të mbetet vetëm një transportues. Në letra duket se punët kanë ecur mirë, por në praktikë ka vend për ndërhyrje.

“Rregullat për sektorin e gazit që ka nisur të marrë jetë po ecin mirë por ka nevojë që të shihen edhe në praktikë. Gazsjellësi Trans-Adriatik do të sjellë gaz në Europë në fund të këtij viti. Shqipëria duhet të rrisë përpjekjet e saj që të shfrytëzojë këtë mundësi për të zgjeruar tregun e gazit. Në të kundërt do të ketë thjesht rolin e një vendi transit” thuhet në raportin e fundit të Sekretariatit për ecurinë e disa sektorëve në vend nga energjia tek ndryshimet klimatike.

I njëjti nënvizon se rregullat e tregut të gazit nuk janë adoptuar ende. Siç parashikohet në modelin e tregut, këto rregulla duhet të parashikojnë tregtimin dypalësh në tregjet me pakicë dhe shumicë të gazit natyror dhe të tregut të një dite më parë apo balancimit.

“Shqipëria gjithashtu nuk ka përshpejtuar zbatimin e Master Planit të Gazit gjatë periudhës së raportimit(viti 2020). Në këtë situatë, TAP mund të kufizohet në transit përmes Shqipërisë, pa mundësinë e furnizimit të Shqipërisë. Nga kontrast, rregullat e furnizimit dhe aktet nënligjore të mbrojtjes së konsumatorit janë në fuqi. Një plan i emergjencës së gazit u miratua nga Qeveria me ndihmën e Sekretariatit” thuhet në raport.

Raporti i Sekretarit dhe nënvizimet për tregun e gazit vijnë vetëm pak ditë pas TAP njoftoi nisjen e operacioneve tregtare. Kjo do të thotë se tashmë transmetimi i gazit drejt Europës ka filluar. Paralelisht më herët qeveria analizoi në një masterplan mundësitë e gazifikimit.

Në atë kohë ministria përgjegjëse njoftoi se ishin disa projekte që konsideroheshin si prioritare.

Ato përfshijnë: i) tubacionin nga TAP, afër Fierit, deri në Termocentralin e Vlorës, ii) tubacionin nga TAP në Fier dhe Ballsh, dhe iii) tubacionin nga Tirana në Durrës. Këto projekte janë zhvilluar në nivelin e Studimit të Parafizibilitetit dhe Qëndrimit ndaj Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe mund të zbatohen në periudhën 2018-2020.

Masterplani i Gazit gjithashtu shqyrtoi kërkesën dhe ofertën për gazifikimin e mundshëm të të gjithë qyteteve të mëdha dhe konsumatorëve të mëdhenj industrialë, duke përfshirë impiantet e prodhimit të energjisë elektrike nga djegia e gazit natyror dhe perspektivën e magazinimit të gazit pranë Dumresë në periudhën 2020 deri 2040.