Humbi dy vëllezërit nga Covid-19, pedagogu: Nuk ka transparencë, s’e dimë se çfarë ndodh në spitale

Pedagogu Afrim Osmani, i cili humbi dy vëllezërit e tij nga koronavirusi, tha në studion e Abcnews, se ajo që ndodh në Shqipëri me Covid-19, nuk ndodh askund tjetër. Osmani tha se mjekët janë heronj, por sistemi menaxherial ka rënë totalisht. “Të dy vëllezërit ikën brenda pak orëve. Njëri kishte simptoma të lehta, tjetri kishte një kollë më të fortë. Por gjendja e tyre u përkeqësua brenda 48 orësh. Të ikin të dy brenda 48 orësh kjo është e tmerrshme”, tha Osmani. Ai kërkoi nga autoritetet që të organizojnë një punë gjithëpërfshirëse në terren, pasi kjo që po ndodh këtu ka ndodhur në fillimin e pandemisë para 7 muajsh, por nuk ndodh sot. “U bënë gati që njërin vëlla ta nismin në Turqi, por nuk pati kohën pasi gjendja e tij u përkeqësua. Nuk kishim asnjë informacion, çfarë po ndodh këtu? E kuptoni se s´ka informacione, e kanë mbyllur totalisht. Është koha për të vepruar, jo për të kthyer përgjigje apo debatuar. Duhen përveshur mëngët, ndërkohë këtu harxhohet koha për ti kthyer përgjigje dikujt. Nuk ka transparencë, këtu i thuhet familjarëve që pacienti po mjekohet, ndërkohë që ai tjetrii ka humbur jetën”, tha Osmani. Sipas tij, nuk mund të ecet me teorinë që kjo që ndodh këtu në Shqipëri, po ndodh kudo, pasi në çdo vend ka informacion, ka disa protokolle të njohura. “Nuk bëhet asgjë, harxhohet kohë pa fund dhe gjithçka i lihet atyre mjekëve në Infektiv. Kush është rruga që ndiqet për shërimin e pacientëve, kush janë masat? Ka 7 muaj që bëhet vetëm një veprim, thuhet jemi në emergjencë, por s´ka menaxhim. Duhet gjithëpërfshirje të mjekëve, nuk mund të trajtohet kjo si sëmundje vetëm nga infeksionistët, pasi pasojat janë ato që shkakton Covid-19. Të sëmurët që vdesin pothuajse janë shëruar nga Covid-19, humbin jetën nga pasojat e koronavirusit”, tha Osmani. Sipas tij, nuk mund të trajtohet kjo situatë si “kush ka fatin ta kalojë mirë, kush se ka këtë fat, Covidi e merr”. “Po harxhohet koha jo me menaxhimin e situatës, por me reagime. I kushtojnë 98 % të kohës reagimeve, jo menaxhimit të situatës. Nëse ka një integritet dhe vizion në lidhje me menaxhimin e situatës, atëherë nuk ndodhi gjëra të tilla. Çfarë duhet bërë? Dy apo 3 muaj duhet një menaxhim i situatës, jo emergjencë, emergjencë, emergjencë dhe mbetet këtu gjithçka”, shtoi Osmani.