Deklarata e fortë: Rama e ka treguar me vepra se nuk do që të integrohet në BE

Profesor Lisen Bashkurti në një intervistë për Ora News ka folur në lidhje performancën në arenën europiane të qeverisë shqiptare.
Bashkurti ka thënë se qeveria Rama në këtë mandat të dytë sidomos, i është larguar shumë parimeve europiane, ndërkohë që ka theksuar se diçka e tillë është vërtetuar edhe me Reformën në Drejtësi.
“Qeveria nuk ka pasur një performancë në lidhje me parimet në tërësi. I kanë munguar parimet europiane të qeverisjes, që është parimi i legjitimitetit i cili është vënë në dyshim për shkak të zgjedhjeve të kontestuara në nivel qendror dhe lokale që ishin monopartiake.
I ka munguar përgjegjësia, dhënia llogari para masave që është një nga karakteristikat e parimeve europiane, ku çdo qeveri lypet të ballafaqohet me elektoratin. I ka munguar transparenca që është një parim i tretë shumë i rëndësishëm i modelit të qeverisjes europiane. I ka munguar edhe parimi i katërt, që është baza e gjerë gjithëpërfshirëse. Këto janë parime europiane shumë të konsoliduara’”  tha ai.

Bashkurti shtoi se,  qeveria Rama në mandatin e dytë nuk e ka pasur në prioritetin e saj BE.

‘Kjo u duk në mënyrë të përkeqësuar në reformën në drejtësi me anë të ligjeve dhe protokollet qe ishin të njëanshme. Kjo e krisi reformën në drejtësi, krijoi vonesa të mëdha, përplasje ligjore, institucionale, politike, që do të thotë që pas thuajse 4 vitesh ende ka sfida të mëdha për të konstituar së paku dy organe të drejtësisë’, argumentoi Bashkurti.