Basha në Shkodër: I zhgënjyer që këshilltarët e majtë nuk ju hoqën taksat! Mungesa e ndihmës dyfishoi rënien ekonomike

Kryetari i PD, Lulzim Basha po zhvillon një bashkëbisedim me biznesmenë të vegjël në Shkodër, i shoqëruar nga kryebashkiakja Voltana Ademi.

Pasi ka dëgjuar problemet e tyre, Basha e ka marrë fjalën duke falenderuar së pari zonjën Ademi për propozimin e saj që në ditët e para të marsit për të hequr taksat mbi biznesin e vogël për të përballuar krizën. Basha ka shprehur keqardhje dhe zhgënjim që këshilltarët bashkiakë nuk e aprovuan propozimin nën presionin e qeverisë, e trembur se ky shembull do të ndiqej nga bashkitë e tjera të vendit.

“Shpreh keqardhjen e thellë që njerëzit që okupojnë ulëset në Këshillin Bashkiak nuk kanë marrë përgjegjësitë para qytetarëve për ta aprovuar këtë akt të kryebashkiakes, që në fund të fundit kishte vetëm një qëllim, që të ndihmonte biznesin”, tha Basha.

“Ju e dini fare mirë që prej ditëve të para të pandemisë, ky ka qënë një ndër propozimet tona kryesore në planin që kemi paraqitur dhe vënë në dispozicion qeverisë dhe kemi gjykuar se kjo ishte mënyra e drejtë për të vepruar në raport edhe me atë që po bënin vendet e tjera në rajon dhe kudo ne Europë.

Kemi gjykuar se diçka e tillë do të tejkalonte ndasitë politike, se në fund të fundit, ajo që kërkonim dhe kërkojmë është të ndihmohet ekonomia, e cila kishte shtatë vite në krizë dhe pandemia vetëm sa e vështirësoi dhe më shumë një situatë mbijetese të bizneseve.

Sot ka dalë një studim që tregon se 4900 biznese janë mbyllur dhe Shkodra është një ndër qytetet më të goditura. Pra, në këtë kuptim, të paktën vetëm për sa i përket ekonomisë së familjeve shkodrane, të bizneseve të Shkodrës, shpresoja dhe bëra dhe thirrje që të tejkaloheshin ndasitë politike dhe jam shumë i zhgënyer që njerëzit që janë ulur në ato karrige, pavarësisht ndasive që ne i kemi të qarta prej atij procesi të paligjshëm, po në atë moment që ishin aty mund të bënin një vepër të mirë, mund të bashkoheshin rreth propozimit të kryetares së bashkisë së Shkodrës për të hequr detyrimet lokale dhe ta bënin pa asnjë mëdyshje dhe pa u ndikuar nga presioni.

Unë e kuptoj presionin, e di që arsyeja kryesore pse nuk e kanë bërë është sepse shembulli që do të jepte bashkia e Shkdorës do të ishte i vështirë për të mos u ndjekur nga bashkitë e tjera pastaj”, u shpreh Basha.