Vokshi: Rama po shtantazhon mësuesit, ata që guxojnë të flasin degdisen larg…

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi në një lidhje direkte për emisionin ‘Ditë e Re në Ora Neës, akuzon kryeministrin Edi Rama se po shantazhon mësuesit që guxuan të tregonin realitetin.

“Reagimi qytetar është diçka që ka munguar në Shqipëri vitet e fundit por kjo për shkak të presionit nga ana e drejtuesve politik të shkollave, drejtorive, ministrisë, kryeministrisë. Kryeministri akuzoi, fyeu, shantazhoi mësuesit që kanë guxuar të flasin. Kanë ardhur në takim me Kryetarin e Partisë Demokratike jo për të bërë politikë por për të thënë problemet e tyre për çdo vështirësi që ata kanë në një ditë mësimore, për përhapjen e Covidi-t në shkolla ku niveli i përhapjes ka kapur shifrat 30-50%. Pjesa më e madhe e mësuesve gjenden në shtëpi të sëmurë, nuk përballojnë dot as kurat e shtrenjta”, tha Vokshi.

Vokshi thotë se mësuesit po shantazhohen dhe kush rebelohet kërcënohet me transferim në shkolla të largëta ose pushohen nga puna.

“Një pjesë rebelohen por ato shantazhohen, largohen dhe degdisen në skaje të largëta ku e kanë të pamundur të shkojnë për arsye e tyre. Ose mund dhe të pushohen nga puna. Pjesa më e madhe e mësuese janë të rebeluar së brendshmi, denoncojnë, na shkruajnë përditë por shantazhohen nga drejtuesit politik ne shkolla sepse në vend të kemi arsim të depolitizuar kemi arsim të politizuar“, tha ndër të tjera ish-deputetja e PD.