“U kopjua plani i PD dhe u manipulua”, Pampuri: Rama përdor mjekët për politikë

Ish-deputetja e PD, Oriola Pampuri ka folur për mënyrën e menaxhimit të pandemisë duke thënë se është e rëndësishme hapja e pavijoneve për të kuruar të infektuarit në spitalet rajonale. Në intervistën për emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax News, Pampuri thotë se, e vetmja e mirë që bëri qeveria për pandeminë ishte vendimi për të miratuar paketën e parë dhe të dytë për shtresat më të prekura.

“E vetmja gjë që bëri është që mori masa për të bërë atë që propozoi PD, miratoi paketën e parë dhe të dytë mbështetëse ekonomike, por përsëri duke kopjuar planin e PD ku ne propozuam që të mbështeteshin bizneset, shtresat në nevojë dhe prap numri i familjeve u manipulua sepse nuk u dha fiks aq sa duhet të jepej, por në numër më të vogël se paraqiti qeveria.

E paralajmëruam për një valë të dytë që të merrte masa, absolutisht asnjëra nuk u mor parasysh. I propozuam që të merreshin masa për hapjen e spitaleve rajonale në mënyrë që të ndërtohet mekanizmi për aparaturat e duhura, jo vetëm shtretërit. Duke mos patur pavijone në spitale rajonale, kemi mbingarkesë në QSUT por edhe në spitalet Covid.

Është përdorur politikisht se e gjithë kjo situatë është përdorur në valën e parë dhe e kemi shprehur se kemi një kurbë të çuditshme. E kemi denoncuar, e kemi ngritur alarmin dhe sot jemi përballë fakteve të tilla”, tha Pampuri.

Sa i përket faktit nëse mjekët po përdoren nga Basha, ashtu siç PD akuzon se po përdoren nga Rama, Pampuri sqaron se kreu i opozitës ka qenë gjithmonë krah mjekëve.

“Dua të theksoj diçka. Rama përdor mjekët për politikë në këtë mënyrë. Në momentin që u bë denoncimi për shifrat fiktive të personave që kanë ndërruar jetën, ditën e nesërme doli një grup personash që e hodhën poshtë. Tek e fundit, u kuptua nga të gjithë se e gjithë situata nuk i delegohej mjekëve, por qeverisë. Basha deri sot ka qenë krah mjekëve, por Rama për të anashkaluar këtë zullum, përdor mjekët”, tha Pampuri.