Patozi: Me Topallin do ndryshojmë politikbërjen në Shqipëri, më shkon Tirana për kandidim, kam edhe origjinën

Kryetari i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, në një intervistë për ”RTSH”-në ka folur për alternativën që së bashku me anëtarët e tjerë synojnë t’i ofrojnë Shqipërisë.

Patozi dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli do të jenë në listë të përbashkët në zgjedhjet e 25 prillit. Ai tha se e vetmja mënyrë që lejon kodi elektoral është një listë e përbashkët.

Astrit Patozi:

“Ne synojmë të jemi alternativë e tretë për Shqipërinë dhe mundësisht të kemi një koalicion opozitar ku të bashkojë parti dhe lëvizje të ngjashme të cilët kanë si objektiv jo thjesht rotacionin e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit dhe Edi Ramës, por ndryshimin e politikbërjes në Shqipëri.

Ne mendojmë që kjo është një nevojë e shoqërisë shqiptare dhe nuk është vetëm ambicia politike e disa personave dhe duke qenë e tillë ne mendojë se do jemi një forcë qeverisë përcaktuese, ky është objektivi ynë.

Nuk na ndan asgjë. Kemi të drejtën e botës që të ruajmë nuancat dhe profilin që secili ka. Ne na bashkon një gjë e madhe. Kauza jonë e përbashkët është ndryshimi i politikbërjes në Shqipëri. Kemi të përbashkët dhe llogaritë elektorale, sepse kodi elektoral është i tillë që penalizon partirtë e reja.

Ne në përgjigje të këtij kodi i cili është bërë qëllimisht nga partitë e vjetra, për të mos lejuar që në fushë të futen dhe lojtarë të rinj, ne e kemi detyrim të bashkojmë forcat dhe t’i lemë vetëm ata. Pra dy blloqet politike, PS në pushtet dhe nga ana tjetër PD dhe LSI.

Ne nuk kemi asnjë mënyrë tjetër të garuar në zgjedhje. E vetmja formë që lejon kodi elektoral është një listë e përbashkët, në do të prezantohemi më shumë si frymë sesa si forcë elektorale.

Në ndryshim nga partitë e vjetra do i vendosim gjerat me kolegjialitet. Do ulemi brenda partive tona në rradhë të parë, por pastaj dhe me njëri tjetrit që të maksimilizojmë fuqinë tonë elektorale në çdo qark”.

I pyetur se ku do të kandidojë Patozi u shpreh se nuk është vendosur asgjë akoma edhe pse ajo që do i shkonte më shumë do të ishte kandidimi në Tiranë.

Astrit Patozi:

“Sipas të gjitha gjasave ajo që më shkon më shumë do të ishte Tirana. Pasi edhe origjinën dhe jetën time elektorale e kam pasur në Tiranë por kjo është një gjë që ende nuk është mbyllur. Ne do të jemi përballë qeverisë. Kjo alternativë do të dalë përballë qeverisë, ky është kundërshtari”.

Patozi përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me PD dhe shtoi se shtoi se me këtë parti është ndarë në koncept.