“Babai flinte me sqepar poshtë krevatit”, por gruaja e vrau…

Dy vajzat e Drane dhe Llesh Dedës flasin sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 për vrasjen e babait të tyre nga nëna me sqepar.
Një rrëfim tronditës, ku motrat Daniela dhe Xhystina Deda justifikojnë veprimin e nënës së tyre, pasi siç thonë ato ishte e dhunuar gjatë gjithë kohës.
Ngjarja ndodhi më 6 nëntor, ndërsa Llesh Deda ndërroi jetë pas 15 ditësh në spital.

Daniela, një prej vajzave të Drane Lleshit tregon se babai pinte çdo ditë, por në shtëpi dhe se flinte me sqepar poshtë krevatit. Sipas saj, nëna e ka bërë atë veprim pa vetëdije. Ajo tregon për natën e ngjarjes dhe se si e kishte gjetur të atin të plagosur.

“Unë nuk isha atë natë. Kisha dy ditë që kisha filluar punë me dy turne. Kishin lajmëruar vëllain dhe ai më merr në telefon më thotë e di çfarë ka ndodhur.
Mora taksi dhe i kam gjetur në vendngjarje. Ka qenë dhe halla. Kam gjetur babin, të gjitha skenat. Kishte mbërritur policia, po merrte babin po e vendoste në ambulancë. E kanë çuar fillimisht në spitalin e Laçit më pas e çuan në spitalin Ushtarak. Nuk i kishte humbur ndjenjat por bënte veprime të pakontrolluara. Ishte i dehur. Pinte në shtëpi.
Kur i thirrja o babë, pati një reagim por nuk e kuptova ishte si rënkim. Nuk e di ku ishte nëna ime, isha në gjendje shoku. Dhe pse kisha babin aty e kisha mendjen tek mami, thosha se do i bënte gjë vetes. E kishim këtë frikë gjithmonë. Mami im nuk trazonte ujin. Këtë veprim e ka bërë jo me vetëdije.
Martesa e tyre ka qenë më shkuesi pa dijeninë e prindërve të mi. Nuk janë njohur vetë. Gjyshi e ka vendosur”, tregoi Daniela.

Gjystina tha se mamaja ka lënë dhe shkollën për shkak të kësaj fejese. “Me sa di unë, mamaja është shkëputur nga shkolla për shkak të fejesës”, tregoi ajo.
Daniela tha se problemet mes prindërve të saj kanë nisur që vitin e parë të martesës. Ajo thotë se dhe dy ditë para se të ndodhte ngjarja kishin pasur debate. Por me gjithë krimin e rëndë që kreu, nëna e ka telefonuar nga burgu dhe iu ka kërkuar falje fëmijëve për atë që ka bërë.
“Mami më ka thënë që vitin e parë kanë pasur sherre, probleme. E rrihte, i flisnin të tjerët keq. Më merr shpesh nga burgu dhe më thotë si është babi, më thotë që e kam bërë pa vetëdije, më falni.
Unë rrija në Lezhë në shtëpi me qira se punoja atje dhe s’kisha mundësi. Para dy ditësh isha në shtëpi dhe atë kanë pasur grindje. Babi gjithmonë kishte një ves dhe kur pinte dhe kur nuk pinte, përmendte të njëjtat gjëra, presione psikologjike.

Mami na tha pak më parë: ‘Për kokë të 10 fëmijëve ai më ka kërcënuar me atë sqepar që unë e vrava. E thashë o unë o ai’. Babi e mbante gjithmonë një sqepar poshtë krevatit të tij. Mami nuk kishte fjetur fare atë natë. Flinin të ndarë, mami në një dhomë, babi në një dhomë tjetër. Kanë që nga viti 2001 që nuk flinin më bashkë.
Babi im u fiksonte për disa gjëra, p.sh largimin e fëmijëve. Mami thoshte që s’e kam unë në dorë. Ai ku të shfryhej, tek mami. Po atje ku jetojmë ne nuk ka ndonjë mënyrë jetese. Ne i ndihmonim prindërit. I kam ndihmuar gjithmonë”, tha vajza Daniela.