Berisha: Opozita po sillet si Qeveri, Rama po kopjon në mënyrë të shëmtuar propozimet e Bashës

Ish-Kryeministri Sali Berisha tha mesditën e sotme në një lidhje direkte me Abcnews se, tashmë janë përgatitur listat e deputetëve të PD në mënyrën më transparente për zgjedhjet e 25 prillit.

“Janë 320 emra, të zgjedhur përmes një procesi transparent. Opozita po silletsi Qeveri në raport me alternativën. Rama po kopjon në mënyrë të shëmtuar propozimet e opozitës. Lulzim Basha kërkoi 2 muaj më parë që të kompensoheshin qytetarët që po kuroheshin në shtëpi nga Covid. Edi Rama u tha prisni vitin tjetër që t´ju kompensoj. Opozita ka bërë propozime të shkëlqyera për mbrojtjen e biznesit. Opozita ka kërkuar vaksinimin falas të popullatës me vaksinën e gripit. Ka propozuar nënshkrimin e kontratave direkt me kompanitë e prodhimit të vaksinave, të paktën për grupet e riskuara, që të mos pritet fundi i 2021 apo fillimi i 2022 për sigurimin e vaksinave”, tha Berisha.

I pyetur se ku do të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit, Berisha tha se kjo është top sekret.

“Ende nuk kam një vendim. Vendimin do e marr bashkë me Kryesinë e PD”, tha Berisha.

I pyetur nëse do të kandidojë në Shkodër, Berisha tha se ka hequr dorë nga drejtimi i PD që në 2013, pas zgjedhjeve parlamentare.

“Gjatë kësaj kohe kam mbrojtur vetëm interesin publik. Kam qëndruar, do të qëndroj në politikë, për të mbrojtur interesin publik, duke mos pretenduar se kam monopolin e së të vërtetës”, tha Berisha.

Berisha ironizoi masat e publikuara një ditë më parë nga Komiteti Teknik, në kuadrin e pandemisë Covid-19.

Berisha tha se një nga masat është ajo që ndalon aktivitetet politike, ndërsa tha se ministrat e tij, kanë infektuar sallat që zhvillonin takime.

“Ministrat e tij, deri një ditë para se të diagnostikoheshin me Covid-19 mbushnin sallat dhe mbanin fjalime pa maskë. Kanë infektuar sallat. Kjo masë është një tentativë për të mbrojtur Ramën nga humbja e sigurtë e 25 prillit, por është i pashpresë”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri tha se Edi Rama nuk ka bilanc, ka vetëm mashtrime. “Ka shkuar tre herë te By-Pass i Vlorës, i cili është tenderuar në 2013, u gjet financimi në 2014 dhe prej atëherë janë ndërtuar vetëm 12 km, ndërkohë që e gjithë rruga është 37 km. Ky shkon inauguron spitalet që kam inauguruar unë”, tha Berisha.