Gazetari Ylli Rakipi, i ftuar në SYRI TV, e quajti të turpshme atë që ndodhi mbrëmë, kur në televizionet kryesore në mbrëmje flitej vetëm për historinë e fabrikuar të kasetës së masakrës së Krushës.
“Unë e kam thënë shpesh që qeveria kontrollon pjesën më të rëndësishme të medias në Shqipëri. Dhe kur flasim për media, flasim për media televizive. Ishte turp të ndiqje ato programe, dukej sikur në disa teatro luhej e njëjta komedi.
Ndryshonin vetëm personazhet, por ngjarja ishte e njëjtë. Ishte një shou i tipit të letërsisë amerikano-latine, fantazmagorike, një realizëm magjik ku nga një TV në tjetrin nuk kishte asnjë ndryshim. Nëse do bëja emision, skaleta ime ishte e thjeshtë: pse bëhet kjo gjë?” tha Rakipi.
Ai tha se media nuk është e blerë vetëm nga inceneratorët.
“Problemet në Shqipëri janë shumë të mëdha. Pandemia ka krijuar një gjendje mjaft të vështirë në Shqipëri. Mund të ndodhë që pas dhjetorit, kur temperaturat të bien, të kemi njerëz të shtruar në rrugë me gjendjen ku jemi ne.
Në këtë pikëpamje, Rama ka qenë mjeshtër për ta zhvendosur vëmendjen në probleme kaq qesharake. Që njerëzit të mos shohin atë që po ndodh realisht në Shqipëri. Rasti i djeshëm ishte një rast shumë qesharak”, tha ai.
I pyetur se kur e kishte kuptuar se Top Channel është i lidhur me inceneratorët, ai tha: “Unë kam një etikë pasi kam punuar aty. Jo vetëm TCH, por shumica e televizioneve. Media shqiptare është e blerë nga qeveria për interesa të pronarëve të saj. Kjo është shumë e tmerrshme”.