Vendimi i fortë politik i BE kundër Ramës

Konferenca Ndërqeveritare e BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë është shtyrë në një afat të pacaktuar nga Komisioni Evropian. Në mbledhjen online të mbajtur sot, pasdite ministrat e Çështjeve Evropiane të vendeve anëtare nuk arritën të marrin një vendim për negociatat, sepse Bullgaria vendosi veto për Maqedoninë e Veriut.

Presidenca gjermane e BE-së, e përfaqësuar nga ministri i Shtetit, Michael Roth, informoi ministrat në lidhje me diskutimet mbi pozicionin e përgjithshëm të BE-së dhe procedurat për negociatat e pranimit në lidhje me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë.

“Kërkohet një kornizë negociuese në mënyrë që të hapen zyrtarisht bisedimet e pranimit me një vend kandidat. Qëllimi i presidencës është që kornizat negociuese dhe rregullimet e brendshme të aprovohen me kohë për të qenë në gjendje të mbajnë konferencat e para ndërqeveritare me dy vendet kandidate në vitin 2020, nëse plotësohen kushtet, ky është hapi që nis zyrtarisht procedurën”, tha Roth.

Ministrja bullgare, Ekaterina Zaharieva deklaroi se vendi i saj e mbështetë kornizën negociuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut.

“Bullgaria në këtë fazë nuk mund të mbështesë kornizën negociuese me Republikën e MV dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Propozimi nuk i pasqyron kërkesat bullgare dhe nuk mund të përkrahet në formën aktuale”, theksoi Zaharieva.

Ajo tha se Shqipëria i plotëson shumicën e kushteve të vendosura në mars. Zaharieva gjatë video-konferencës me ministrat e BE-së, falënderoi Berlinin për ndihmën gjatë negociatave me Shkupin.