Nuk ka më shtretër tek spitali Covid2/ “E kanë sjellë që mbrëmë në 12, nuk e di ku është”, gruaja humb kontaktet me burrin

Qytetarët që ndodhen jashtë dyerve të spitalit “Shefqet Ndroqi” kanë folur për gazetaren e Fax News Fjona Çela në lidhje me familjarët që janë të infektuar me koronavirus. Ndonëse ka pasur ankesa se janë ezauruar kapacitetet e shtretërve, sërish mbërrijnë urgjenca dhe të sëmurët trajtohen ende brenda ambulancave.

“Kam gjithë ditën që pres këtu për të cuar ushqimet. E dyta, nuk marr asnjë informacion nga pacienti. Unë kam një numër që dua të më marrin në telefon të më thonë si është pacienti, kaq dua unë. Ka dy netë që s’më merr njeri në telefon. Duhet të ketë një njeri që na sjell përgjigje, kaq. Kam gjysmë ore që pres”, thotë një grua.

Ndërsa një tjetër shprehet se që prej mbrëmjes së kaluar në orën 12, e ka humbur kontaktin me bashkëshortin dhe pret që prej orës 10 të mëngjesit që ti japin informacion.

“Kam bashkëshortin. Nuk e di si është gjendja. E kanë sjellë që në orën 12 mbrëmë dhe nuk e di as ku është. Më tha ajo zonja që është akoma në urgjencë. Nuk ka dhomë si duket. Nuk kam asnjë lloj informacioni. Kam që në orën 10, i mori të gjithë në telefon dhe na tha që është aty”, tha ajo, ndërsa të tjerë shpreheshin se merrnin pak informacion.

Gjatë mesditës së sotme, kanë mbërritur edhe 2 urgjenca me pacientë të infektuar, të cilët po trajtohen brenda ambulancës derisa të lirohen shtretër.

Kujtojmë se ish deputeti i PD, Gazment Bardhi publikoi mëngjesin e sotëm një mesazh nga stafi mjekësor i “Shefqet Ndroqit” teksa i thonin se nuk ka më shtretër të lirë dhe mungojnë burimet e oksigjenit.