Ministrat e BE shtyjnë në një afat të pacaktuar vendimin për çeljen e negociatave

Konferenca Ndërqeveritare e BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë është shtyrë në një afat të pacaktuar nga Komisioni Evropian. Në mbledhjen online të mbajtur sot, pasdite ministrat e Çështjeve Evropiane të vendeve anëtare nuk arritën të marrin një vendim për negociatat, sepse Bullgaria vendosi veto për Maqedoninë e Veriut.

Presidenca gjermane e BE-së, e përfaqësuar nga ministri i Shtetit, Michael Roth, informoi ministrat në lidhje me diskutimet mbi pozicionin e përgjithshëm të BE-së dhe procedurat për negociatat e pranimit në lidhje me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë. “Kërkohet një kornizë negociuese në mënyrë që të hapen zyrtarisht bisedimet e pranimit me një vend kandidat. Qëllimi i presidencës është që kornizat negociuese dhe rregullimet e brendshme të aprovohen me kohë për të qenë në gjendje të mbajnë konferencat e para ndërqeveritare me dy vendet kandidate në vitin 2020, nëse plotësohen kushtet, ky është hapi që nis zyrtarisht procedurën”, tha Roth.

Ministrja bullgare, Ekaterina Zaharieva deklaroi se vendi i saj e mbështetë kornizën negociuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe për Maqedoninë e Veriut.

“Bullgaria në këtë fazë nuk mund të mbështesë kornizën negociuese me Republikën e MV dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Propozimi nuk i pasqyron kërkesat bullgare dhe nuk mund të përkrahet në formën aktuale”, theksoi Zaharieva.

Ajo tha se Shqipëria i plotëson shumicën e kushteve të vendosura në mars. Zaharieva gjatë video-konferencës me ministrat e BE-së, falënderoi Berlinin për ndihmën gjatë negociatave me Shkupin.

Ajo tha se nuk është arritur progres i dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë nga viti 2017.

“Ne kemi tre kushte themelore – respektimin e formulës për gjuhën nga viti 1999 dhe të konfirmuar me marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë, udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017, tekst shumë të qartë, në të cilin do të theksohet se Maqedonia nuk ka pretendime për pakicën maqedonase në Bullgari. Këto kushte ende nuk janë përfshirë në kornizën negociuese”, theksoi Zaharieva.

Në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase, si dhe ë kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.

Në konferencën e shtypit të mbajtur online, Roth i pyetur nga gazetarët tha se Shqipëria është në rrugë të mbarë duke kryer reformën në drejtësi, por duhet të eci me shpejtësi në ngritjen e institucioneve të saj. Ndërkaq, në drejtim të Maqedonisë, Roth lëshoi një lutje që brenda ditëve dhe javëve në vazhdim të arrinte kompromis me Bullgarinë me qëllim që Presidenca Gjermane të iniciojë brenda këtij viti mbajtjen e konferencave ndërqeveritare me të dy vendet.