Bilanc lufte nga virusi, 60 të vdekur në javë, Rama bën hajgare me masakrën serbe të Krushës së Madhe!

Në Shqipëri, java e shkuar rregjistroi rekorde në të gjitha shifrat që lidhen me COVID 19, si për nga numri i vdekjeve, ashtu dhe për nga rastet, numri i testimeve si dhe shtrimet në spitale. Të dhënat zyrtare, të përpunuara nga Zëri i Amerikës, dëshmojnë se në periudhën 10-16 Nëntor, Koronavirusi shkaktoi 60 viktima.

Deri më tani, shifra më e lartë ishte rregjistruar dy javë më parë me 47 të vdekur. Në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë humbën jetën një 48 vjeçare, një 71 vjeçar, 74 vjeçar, një 85 vjeçar nga Tirana, një 60 vjeçar nga Mirdita, një 60 vjeçar nga Kurbini, një 63 vjeçar nga Gramshi, një 71 vjeçar nga Durrësi.

Krytetari i opozitës Basha ka denoncuar inekzistencën e qeverisë që merret me sulme politike dhe gënjeshtra. “Nëse Rama do kishte investuar kohën e tij sot, në shërbim të qytetarëve në vend që të cicëronte gënjeshtra kundër meje, mbase do të kishte arritur të shpëtonte disa nga 8 qytetarët që humbën jetën nga Covid-19 sot. Ndërsa vendi po thyen rekordet e infeksioneve, Rama merret vetëm me sulme politike dhe gënjeshtra. Bashkë do të sjellim shpresë të re për Shqipërinë me një qeveri që do të punojë vetëm për njerëzit”, shprehet Basha në një postim në rrjetet sociale.

Rastet e reja, gjatë së njejtës periudhë 1 javore u ngjitën në 3701 raste, 492 të prekur më shumë. Rritja erdhi si pasojë edhe e një numri më të lartë të testimeve (+29.8 përqind), pasi autoritete vendosën që të përfshinin dhe tamponët që realizohen në sistemin shëndetësor jo publik. Për pasojë dhe përqindja e pozitivitetit (raporti mes numrit të rasteve dhe numrit të tamponëve) u ul në 22 përqind, nga 24.8 përqind që ishte në javën pararendëse. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Mesatarja ditore e të prekurve ishte në kuotën e 528 rasteve, Ndërsa në 24 orët e fundit u rregjistrua një rekord i ri me 602 të infektuar, të konfirmuar pas 2241 tamponëve, ndërsa pozitiviteti kërceu në 26.8 përqind. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në 24 bashki të ndryshme të vendit: 249 raste në Tiranë, 47 raste në Gjirokastër, 38 raste në Lushnje, 30 raste në Fier, Korçë, Kavajë, 27 raste në Vlorë, 24 raste në Berat, 20 raste në Elbasan dhe Librazhd, 18 raste në Kukës, 16 raste në Përmet, 12 raste në Lezhë, 7 raste në Pukë dhe Kuçovë, 6 raste në Devoll, Mat, Dibër, 3 raste në Sarandë, 2 raste në Pogradec, 1 rast në Krujë, Tropojë, Bulqizë, Kolonjë.

Rritja e numrave është shoqëruar me një shtim progresiv të pacientëve që kërkojnë trajtim në spitale. Deri pasditen e sotme, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë “në 3 spitalet COVID, po trajtohen 406 pacientë, 14 në terapi intensive, nga të cilët 3 të intubuar”. Krahasuar më të dhënat e së hënës së kaluar, numri i të shtruarve është rritur me 46 pacientë.

Java e shkuar shënoi dhe numrin më të madh të të shëruarve, 1250 persona, falë shifrës rekord të 24 orëve të fundit me 564 qytetarë të cilët kanë rezultuar negativë në dy testime radhazi. Megjithatë numri i të prekurve ende aktivë, vijon të rritet duke shkuar në 14.348 persona, pak më shumë se gjysma e të gjitha rasteve të konfirmuara që nga nisja e pandemisë. Tirana është vatra kryesore, duke patur thuajse aq persona aktivë sa ka në të gjithë pjesën tjetër të vendit./ VOA/