Sulmi ndaj kundërshtarëve, standardi më shqetësues që ka “rilindur” kjo qeveri

Nga Red VARAKU

Një nga tiparet themelore të një vendi që po shkon ne shpejtësi drejt autoritarizmit është sulmi ndaj opozitës dhe opozitarizmit, sulmi ndaj lirisë së njerëzve për të protestuar, sulmi ndaj mediave kritike, sulmi ndaj shoqërisë civile, e cila është aty për të mbrojtur standardet demokratike dhe liritë e njeriut.

Tipar ky që sa vjen dhe po përforcohet në shoqërinë shqiptare, sepse sot çdo protestë qytetare blihet ose shtypet egërsisht nga qeveria, çdo media kritike shantazhohet ose mbyllet përmes drejtësisë së shitur dhe pothuajse çdo zëri të shoqërisë civile ose ose i mbyllet goja ose është i kontrolluar nga qeveria.

Jemi kthyer sërish në një shoqëri që po riadapton standardin autokratik të 45 vjetëve komunizëm, ku opozita denigrohet, ndëshkohet, neveritet dhe përbuzet publikisht dhe ku linçohen personalisht dhe familjarisht të gjithë zërat kritikë të qeverisë.

Asnjë standard tjetër nuk është më shqetësues se sa ky standard i degradimit të rëndë të democracisë tonë. Vetëm në vendet pa demokraci mund të ndodhë që për çdo dështim në vend që të jepet llogari të fajësohet dhe linçohet opozita.

Ky fakt na ka bërë jo vetëm qesharakë dhe joseriozë, por dhe të neveritshëm në raport me standardet e një shoqërie të lirë dhe në raport me kërkesën tonë për tu bërë pjesë e vendeve me demokraci të konsoliduar.

Kjo është dhe arsyeja kryesore se pse BE nuk mund të mbyllë sytë ndaj këtyre standardeve të demokracisë shqiptare dhe nuk mund të japë dritën jeshile për të hapur negociatat në Bashkimin Evropian.

E gjitha kjo është pasojë e faktit që Edi Rama është konsumuar në ekstrem.

Ai nuk ka më as bilanc qeverisës dhe as ide për debat politik, përveç shpifjeve të ulëta për kundërshtarët dhe hundëfutjes kudo .Ai nuk ka më as kuaj për beteja politike, përveç rrogëtarëve të administratës dhe gomerëve gjysëm-burra të G-99.

Ai sot nuk ka më as një të drejtë për të udhëhequr një betejë kundër opozitës, sepse pas tetë viteve dështim pas dështimi, askush nuk mund të fajësohet tjetër, përveç tij.

Duket që e vetmja shpresë e tij nuk është më bindja e shqiptarëve për sukseset e tij imagjinare, sepse realitetin të gjithë e shohim dhe prekim çdo ditë dhe këtë e kanë të qartë edhe vetë rrogëtarët e tij.

Shpresa e tij e vetme është shpresa se mund t’i vjedhë sërish votat siç bëri në 2017, me manipulime listash, blerje votash, dhunë kartonash dhe shantazhe.

Ndryshimi i njëanshëm i kushtetutës dhe vendosja në krye të qarqeve e individëve të akuzuar si të korruptuar dhe hajdutë të provuar zgjedhjesh, dëshmon që vjedhja e votave është i vetmi projekt i madh që ai ka për Shqipërinë vitin që vjen.

Sigurisht nëse ne ia lejojmë, sepse mbrojtjen e votës dhe rikthimin e demokracisë sot nuk e ka më në dorë askush tjetër përveç popullit shqiptar .
25 prilli është një provë demokracie për ne. Një provë që do të dëshmojë a kemi qenë të vërtetë dhe a e kemi patur vërtet seriozisht në 1990, kur morëm vendimin për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Nëse kemi qenë të vërtetë është koha të dëshmojmë sërish, masivisht dhe me forcë që nuk jemi penduar për zgjedhjen tonë.