Pipero tregon pse vetëvriten pacientët me Covid-19 në spitale: Një mjeke më tregonte se kishte dëshirë të fluturonte…

“Familja dhe lokalet janë përhapësit kryesorë të Covid-19 në Shqipëri”. Kështu u shpreh në studion e Abcnews, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i cili propozoi që mund të shkohet drejt një mbylljeje të bareve para orës 22:00.

Pipero tha se për këtë virus nuk mund të bëhen parashikime dhe kjo situatë mund të vijojë përgjatë muajit nëntor, por mund të shkojë edhe deri në mars.

“Fatmirësisht pjesa dërmuese e rasteve e kalojnë Covid-19 pa simptoma, ose shumë lehtë, por kemi edhe raste të rënda.

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit dhe më gjerë, ka një shtim të rasteve të reja, atyre që kërkojnë trajtim spitalor, por edhe numrit të vdekjeve. Është një situatë alarmante, për të cilën duhet të them se duhet të respektohen masat. Jam kundër lockdown, pasi nuk është zgjidhje, por masat duhen respektuar”, tha Pipero.

Sipas tij, Covid-19 nuk po sillet si viruset e tjerë respiratorë, që do të thotë se është shumë e vështirë të bëhen parashikime.

Lidhur me vetëvrasjet nga pacientët e Covid-19, Pipero tha se sëmundja sjell uljen e oksigjenit në tru dhe janë të paparashikueshme veprimet e tilla nga pacientët.

“Një mjeke na tregonte se kishte dëshirë të fluturonte, pra ky lloj virusi shkakton edhe probleme. Ajo që po vëmë re me pacientët në spitale është fakti se shumë prej tyre janë me diabet të fshehur, gjë që rëndon gjendjen”, tha ai.