Humbin jetën nga Covid-19 tre qytetarë në Elbasan

Tre persona nga Elbasani kanë ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit gjatë 24 orëve të fundit në Elbasan. Sipas abcnews, personat që kanë ndërruar jetë janë dy gra dhe një burrë.

Bëhet fjalë për një 62 vjeçare dhe një 85 vjeçare, të cilat kanë ndërruar jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndërsa një burrë 88 vjeç ndërroi jetë në banesën e tij.

Bazuar në të dhënat zyrtare, vetëm në Elbasan, gjatë 48 orëve të fundit kanë humbur jetën 6 persona si pasojë e Covid-19.

Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se 11 persona humbën jetën si pasojë e Covid-19, ndërsa numri i të infektuarve, sipas shifrave zyrtare të 24 orëve, ishte 597.

Prej disa javësh ka një përkeqësim të rasteve të deklaruara nga strukturat shëndetësore, ku jo vetëm ka një rritje të rasteve të reja dhe numrit të pacientëve që humbin jetën, por edhe të personave që kërkojnë trajtime spitalore. Aktualisht në Tiranë janë në funksion 3 spitale Covid.