Berisha: Topalli refuzoi të përfaqësonte PD

I ftuar në Politikon nga Alfred Lela në RTV Ora, ish-kryeministri Sali Berisha komentoi krijimin e partisë nga Jozefina Topalli dhe mos pranimin e saj për kandidimin me PD-në.

“Themeli i lirisë është zgjedhja dhe secili ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë. Unë jam betuar se nëse një person do të mbesë në PD, unë do të jem i dyti.

Ajo ka bërë zgjedhjen e saj dhe nuk mund ta kontestoj. Ajo ka pasur një alternativë që të kandidojë si një kandidate e PD-së dhe ajo është me statut në këshillin kombëtar në PD. Për arsye të vetat ajo ka zgjedhur të bëjë një parti të veten”, tha Berisha.

Gjatë intervistës së tij për gazetarin Alfred Lela në “Politik On”, ish kryeministri Sali Berisha, i pyetur nëse persekutorët po kthehen në viktima dhe anasjelltas, u shpreh se, nuk duhet të fajësojmë ndërkombëtarët për fajet tona.

Sipas tij, Europa dhe partnerët ishin ata që sollën lirinë në Kosovë.Berisha shtoi edhe një fakt tjetër. Sot, sipas tij, parlamenti shqiptar hoqi termin “genocid serb” nga rezoluta.

“Europa dhe partnerët na bënë njerëz të lirë ne në Kosovë. Europa dhe partnerët, Kasapin e Ballkanit, e ndrynë pas hekurave në Hagë. Por Europa dhe partnerët nuk mund të bënin shqiptarët. Nuk i thanë kurrë shqiptarëve mos hetoni krimet dhe genocidin, nuk u thanë kurrë mohoni krimet dhe genocidin. Na duhej ta mohonim se duhej të përqafoheshim me Sllobon e ri. Na duhej të mohonim që shpëtonim nga dosjet. Pra, është kollaj të akuzosh të tjerët.

A ka fakt më flagrant se sot parlamenti shqiptar heq nga rezoluta fjalën “genocidi serb”?! A ka gjë më flagrante? Bota na e ka fajin? Fajin e kemi vetë ne zotëri”, tha Berisha.