Ballina Aktualitet Shkrimtari i njohur: Edi Rama ja ka larë të gjitha mëkatet Vuçiçit,...

Shkrimtari i njohur: Edi Rama ja ka larë të gjitha mëkatet Vuçiçit, po e përdor Kosovën si gomë rezervë

Analisti dhe shkrimtari Kim Mehmeti ishte i ftuari i të premtes në edicionin e mbrëmjes në SYRI TV. Ai komentoi deklaratat luftarake të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
 
“Vuçiç është një politikan i dalë nga gjaku i luftërave të Millosheviçit. Ujku e ndryshon qimen, por jo zakonin. Ai është kreu i një shteti kishtar, që zbaton politikat e kësaj kishe, që njihet për urrejtjen që mbjellin ndaj të tjerëve. Vuçic është nga ata politikanë që nuk hoqën dorë nga Millosheviçi. Ata nuk e fajësojnë Millosheviçin për krimet, por pse i ka humbur betejat.

 

Ai e ndërton paqen duke u armatosur. Ne nuk mund të bëjmë si të verbër dhe të mos shohim se Serbia po armatoset. Paqja nuk ndërtohet duke u armatosur. Ata po bëhen gati për luftë. Nuk mund të ndërtosh parajsë me ndërtuesit e ferrit. Ai e ka ndërtuar karrierën duke fshehur varrezat masive të shqiptarëve,” tha Mehmeti.

“Në të gjithë këtë histori ka diçka të dhimbshme për ne shqiptarët. Myslimanët e Bosnjës nuk e pranuan të merrnin pjesë në varrimin e viktimave të Srebrenicës. Kroatët nuk e pranojnë të ecë në rrugët e Vukovarit. Kurse kryeministri shqiptar e priti si burrështetas në Tiranë. Ky është paradoksi ku po jetojmë. Si mund të jesh mirë kur e sheh këtë gjë? Të gjithë këtë Piktori na e shet si vlerë perëndimorë, duke kujtuar se janë të prapambetur ata popuj që duan drejtësinë.

Piktori u vëllazërua me Vuçiçin, edhe pse e dinte se ai ka dalë nga gjaku i luftërave të Ballkanit. Piktori dhe ish-presidenti i Kosovës ia lanë të gjitha mëkatet njeriut që tani simbolizon politikën shfarosëse ndaj shqiptarëve. Njeriu që deri dje shkelte mbi gjakun e të pafajshmëve, tani u pranua si burrështetas i madh dhe paqtor. Minishengenet serbe na kanë çuar drejt luftërave”, deklaroi ai.

Edi Rama po e përdor Kosovën si gomë rezervë

Kim Mehmeti komentoi vendimin e PS-së për të ngritur një komision hetimor për krimet e luftës në Kosovës. Ai tha se Rama e ka përdorur Kosovën vazhdimisht kur ka pasur nevojë. Sipas tij, Rama është vëlla me njeriun që ka ngritur karrierën me gjakun e shqiptarëve. Sipas tij, Rama pranoi Aleksandar Vuçiçin si burrë shteti në Tiranë, kur këtë gjë nuk e bëjnë as boshnjakët dhe as kroatët.
 
“PS dhe Rilindja ka filluar ta përdorë Kosovën si gomë rezervë. Sa herë që makina i bllokohet Piktorit në Tiranë, ai bën si atdhetar. Nuk ka pasur kurrë në shqiptarinë një njeri si Piktori që është tallur me mbarë shqiptarinë . Këtu nuk kam asnjë përfitim me këto që them, madje kam humbje. Por të gjitha humbjet e mia nuk janë asgjë në krahasim me humbjet që pëson populli duke e pasur drejtues”, tha ai.
 

I pyetur për komentet e Gramoz Ruçit, që tha se është krenar për Edi Ramën, Mehmeti tha: “Çdo njeri është krenar me atë që është si vetvetja. Piktorin e ka zgjedhur dhe e mban dikush, e mbajnë këta që janë krenar me të. Mendoj se nuk bëhet fjalë për kurrfarë krenarie, por për njerëz që e fshehin fytyrën e vërtetë. Mos harrojmë se kishte shumë njerëz që ishin krenarë me Enver Hoxhën”.

Exit mobile version