260 efektivë policie të prekur me Covid-19 karantinohen në banesa, 3 shtrohen në spital

Covid-19 nuk ka kursyer as uniformat e Policisë së Shtetit. Burime bëjnë me dije se një numër i konsiderueshëm efektivësh kanë rezultuar pozitiv teksa çdo ditë zbulohen raste të reja në radhët e tyre. Pavarësisht masave strikte dhe disinfektimit brenda komisariateve dhe institucioneve të rendit, me sa duket, ushtrimi detyrës që i përball me kontaktet e vazhdueshme në punë, është kanal i pashmangshëm i infektimeve. Mbi 260 efektivë janë vetëkarantinuar nëpër banesa, disa prej të cilëve me simptoma të lehta e disa marrin edhe mjekime përkatëse.

Vetëm për 3 prej tyre gjendja është disi e komplikuar të cilët ndodhen nën kujdesin shëndetësor në spitalet COVID.

Punonjësit e Policisë që prej muajit Mars ndodhen në vijën e parë të frontit me pandeminë duke vënë në zbatim dhe këshilluar qytetarët mbi aktet normative dhe rekomandimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve. Teksa shifrat e të infektuarve në rang vendi në total janë rritur ndjeshëm, mbetet e paevitueshme që edhe uniformat blu të përballen me rriskun e infektimit dhe vuajtjen e pasojave të pandemisë.

Ushtrimi i funksioneve të tyre në terren vijon, e njëkohësisht edhe shtimi i rasteve të reja në vijim është i pritshëm. Shtuar këtu faktin se me Aktin e ri Normativ për kufizimin e orareve të liridaljes, patrullimet nëpër rrugët e vendit dhe zonat me rrisk janë shtuar.

Nga ana e Policisë së Shtetit, jo zyrtarisht konfirmohet për Fax News se ka raste të vazhdueshme të infeksioneve në radhët e Policisë, por që situata është nën kontroll dhe se institucionet e rendit, kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme për menaxhimin e situatës në terren dhe plotësimit të kompetencave që kërkon detyra.

policia 1 780x405 2