Ballina Kryesore Beteja, Trump: Transparencë për fletët e votimit me postë, Biden: Numërim çdo...

Beteja, Trump: Transparencë për fletët e votimit me postë, Biden: Numërim çdo vote

Ekipi elektoral i zotit Trump njoftoi se ka paraqitur ankesa ligjore në shtetet e Pensilvanisë dhe Miçiganit, që mund të shërbejnë si bazë për të kundërshtuar rezultatin në këto shtete ende pa rezultat përfundimtar dhe që mund të jenë përcaktuese nëse presidenti do të sigurojë edhe një mandat të dytë. Ankesat në të dy shtetet kërkojnë qasje më të mirë të vëzhguesve në qendrat ku përpunohen dhe numërohen votat.

Ekipi elektoral i zotit Trump po ashtu kërkon të jetë pjesë e një ankese tjetër në Pensilvani që po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë, që ka të bëjë me numërimin ose jo të votave që mbërrijnë në qendrat e numërimit tre ditë pas mbylljes së votimeve, sipas nën-kryetarit të ekipit elektoral të zotit Trump Justin Clark.

Avokatët e presidentit po kërkojnë ndalimin e përkohshëm të numërimit në të dy shtetet, derisa vëzhguesve t’u krijohet një qasje “domethënëse” në shumë qendra ku numërohen votat dhe të lejohen të shikojnë fletë-votimet që janë nxjerrë nga zarfet dhe janë përpunuar.

Presidenti Trump është në disavantazh të lehtë ndaj rivalit demokrat Biden në Miçigan. Presidenti vazhdon të kryesojë në Pensilvani, por diferenca po shkurtohet sa më shumë vota që numërohen.

“Pas një nate të gjatë numërimi, është e qartë se jemi duke fituar mjaftueshëm shtete për të arritur 270 vota elektorale të nevojshme për të marrë presidencën,” tha zoti Biden.

“Nuk jam këtu për të deklaruar se kemi fituar, por jam këtu për të raportuar se, kur të përfundojë numërimi, ne besojmë se do të jemi fituesit”.

Ish-nënpresidenti Joe Biden tha se ndihet shumë mirë për pozicionin e fushatës së tij në Pensilvani.

“Çdo votë duhet të numërohet,” tha kandidati demokrat.

“Sapo zgjedhjet të jenë finalizuar, ky do të jetë momenti për të lënë pas retorikën e ashpër të fushatës,” tha ai.

“Nuk do të ketë shtete blu dhe shtete të kuqe, do të ketë vetëm Shtete të Bashkuara të Amerikës,” tha kandidati demokrat të mërkurën pasdite.

Exit mobile version