Basha takim me Urdhrin e Farmacistëve: 600 mijë lek për pacient, shqiptarët po vdesin sepse nuk përballojnë kostot e Covid-19

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi këtë mesditë një takim me drejtuesit e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, me të cilët diskutoi për problemet që ndesh ky sektor në këtë kohë pandemie.

Në fjalën e tij, Basha tha se në vend ka një mungesë të theksuar të medikamenteve bazë për të trajtuar virusin, ndërsa shtoi se kostot e ilaçeve janë të papërballueshme për shumicën e shqiptarëve.

“Këto ditë më është dashur të merrem me pandeminë dhe kam kuptuar se ka nisur një mungesë e theksuar e medikamenteve bazë për të trajtuar virusin, ndonëse jemi vetëm në fillim të valës së dytë. Qeveria po mundohet të gjejë fajtorë për situatën. Janë hedhur akuza ndaj farmacistëve, ndërkohë që ka skandale, si ai me tenderin e maskave, ku një maskë blihej me tenderin sekret me çmim dyfish nga qeveria. Shqetësimi kryesor është se njerëzit kanë kërkuar e marrë trajtim, por trajtimi ka kosto të papërballueshme, që fillon minimalisht me 200 mijë lekë dhe shkon deri në 1200 mijë lekë të vjetra për pacientë. Nga kjo rimbursohet një sasi e papërfillshme, e një prej antibiotikëve, ndërkohë që pjesa tjetër e paketës as nuk preket e konsiderohet për rimbursim. Mesatarisht paketa shkon 600 mijë lekë për pacientë, një shumë kjo e papërballueshme. I bie 80% e rrogës minimale dhe shumë më shumë se pensioni në vend.

Problemi tjetër që dua të diskutoj është situata me barnat, pasi ka një alarm për mungesë të barnave. Në këtë situatë të pandemisë nuk janë marrë masat për furnizimin me barna të pandërprerë. Dhe tjetra është vaksina e gripit, që nuk gjendet as në Tiranë, as në rrethe. Këtë javë Covid është futur në një avancim dhe rëndim të situatës. Ne do bëjmë gjithçka për të mbështetur farmacistës në këtë situatë të vështirë, por do të bëjmë gjithçka edhe në gjithë sistemin shëndetësor, ku punonjësit të gjejnë veten me standarde evropiane”, tha Basha.

Kryedemokrati Lulzim Basha premtoi një reformë të sistemit shëndetësor, në të cilin edhe farmacistët të gjejnë veten.

Diana Toma, Presidente e Urdhrit të Farmacistëve u shpreh se sistemi farmaceutik është një armatë vendimtare në sistemin shëndetësor, por janë të paqartë në betejën që duhet të zhvillojnë me Covid 19, pasi nuk kanë një protokoll të caktuar që duhet të ndjekin.

Diana Toma: sitemi farmaceutik u përjashtua nga administrimi i pandemisë. Farmacistët nuk e kanë të qartë protokollin e përshkrimit të barit për pacintët me covid, nuk e dimë protokollin se si duhet të shkojë tek qytertari ky ilaç dhe në fund fare kush penalizohet.

Basha: Me thonë që Remdesiviri nuk ekziston tek ju, veç në treg të zi

Përfaqësuesi i Urdhrit, Dëfrim Goma: Po, po barnat antivirale janë sjellë kontrabandë, në rrugë të jashtëligjshme. Ata po e mbysin tregun. Vetëm tarifa e infermierit privat në shtëpi, shkon 100 mijë lekë në ditë.

Diana Toma: Jemi në një situatë tregu të disbalancuar. Duhet të harmonizohet veprimtaria e institucioneve për të përballuar situatën. Mungesa e protokolleve e ngarkon farmacistin me një përgjegjësi të panevojshme.

Basha: Pra, kërkoni që paketa të jetë e rimbursueshme atë që e kemi propozuar edhe në në pakëten tonë me 5 pika.

Diana Toma: Po. Duhet nxjerrë edhe një VKM për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë që Covid të trajtohet si një formë prioritare.

Dëfrim Goma: barra financiare e rimbursimit të paketës anti-Covid nuk është e madhe për shtetin. Të kemi parasysh se deri tani 950 vaksina antigrip janë importuar dhe tregtuar

Basha: Po sikur do sillte 200 mijë, apo 300 mijë?

Diana Toma: Nuk duhet të humbasim më kohë, por duhen marrë masa për të garantuar vaksinimin e popullatës.

Basha: Duhet vaksinimi i plote anti-grip i popullsisë i rimbursuar nga shteti