Pedagogët në mbështetje të studentëve: Abuzive dhe e dhimbshme, lajmërohen pasi kanë bërë shpenzime për t’u akomoduar në Tiranë

Studentët janë mbledhur sërish ditën e sotme në ambientet përballë Ministrisë së Arsimit, për të demostruar refuzimin e tyre ndaj mësimit online. Fillimi i vitit të ri akademik, shënoi dhe fillimin e protestave nga ana e studentëve, të cilët kërkojnë një mësim të alternuar midis atij online dhe mësimdhënies së auditoreve.

Në protest ka qenë pjesëmarrëse dhe pedagogia Harris Vongli, e cila doli në mbështetje të studentëve duke theksuar se lajmërimi dy ditë përpara se mësimi do të zhvillohet online është abusive dhe e dhimbshme. Gjithashtu Vongli shprehet se jot ë gjithë studentët kanë akses në internet, pasi vendbanimi i tyre mund të jetë në lokacione të thella ku nuk kapin as valët e telefonit.

“Mos të harrojmë se në shumë vende të thella si Tropojë dhe Theth nuk ka valë telefoni dhe jo më internet. Ky është një problem serioz për shumë studentë që nuk kanë infrastrukturën e nevojshme.

Ka pasur shumë studentë që nuk kanë mundur të kyçen në platformat online dhe më kanë kontaktuar të shqetësuar. Situata është shumë kaotike. Studentët nuk mundet të lajmërohen dhe të vijnë në Tiranë nga rrethet dhe dy ditë para të lajmërohen se mësimi do të zhvillohet online. Kjo gjë është abuzive dhe mua më dhemb kjo gjë. Në momentin kur bëhen pagesat e tarifave dhe pagesat e konvikteve dhe më pas lajmërohen dy ditë para se mësimi do të bëhet online, kjo nuk është e drejtë”.