Komisioni i Përzgjedhjes së agjentëve në BKH pranon skandalin pasi u padit në Gjykatë: Gabim njerëzor, kemi skualifikuar ‘padashje’…

Përzgjedhja e hetuesve specialë në Byronë Kombëtare të Hetimit, pati një polemikë javën e kaluar, ku disa aplikantë ngritën padi në Gjykatë ndaj Komisionit të Përzgjedhjes. Ditën e sotme ka ardhur dhe reagimi zyrtar i BKH-së, ku pranohet skualifikimi i një aplikanti i cili kishte arritur të siguronte pikët e nevojshme për të kaluar në sfidën pasardhëse. Në njoftim thuhet se gabimi është bërë kur janë hedhur emrat e fituesve në Excel, ku pa qëllim aplikanti fitues është vendosur tek lista e të skualifikuarve.

Njoftimi i BKH: Komisioni i Përzgjedhjes me qëllim përmbushjen në mënyrë të saktë, të drejtë dhe transparente të detyrave që vijnë me rolin e tij në procesin e rekrutimit të hetuesve të BKH-së, si dhe pasi mori disa ankesa prej kandidatëve, ka kryer rishikimin e të gjithë dokumentacionit të kandidatëve të cilët morën pjesë në testin e aftësive fizike.

Prej këtij rishikimi të dytë të proces-verbaleve rezultoi se, si pasojë e një gabimi njerëzor, një kandidat i vlerësuar me pikë të mjaftueshme kualifikuese është vendosur gabimisht në listën e të skualifikuarve në programin Excel gjatë përpunimit të të dhënave prej Sekretarisë Teknike. Si pasojë, kandidati nuk është ftuar në fazën tjetër të rekrutimit. Në këto kushte, dhe në përputhje me parashikimet e Rregullores, kandidati i përmëndur më lart i nënshtrohet Testit të Shkrimit të Esesë. Të gjitha rezultatet e tjera janë konfirmuar të sakta.

Rregullorja në fuqi, e miratuar prej BKH-së, parashikon rregulla të qarta dhe të detajuara për vlerësimin e kandidatëve për hetues në BKH. Komisioni i Përzgjedhjes është tërësisht i angazhuar të zbatojë kërkesat e Rregullores nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent. Të gjithë hapat e procesit të rekrutimit po monitorohen prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar ruajtjen e standardeve me të larta.

Gjithashtu, për çdo aplikant apo këdo që mbetet i paqartë mbi procesin e vlerësimit, Rregullorja për përcaktimin e procedurave të rekrutimit të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit gjendet e publikuar më poshtë:

Link 1 (Rregullorja për përcaktimin e procedurave të rekrutimit të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit)