Si e fitoi opozita betejën e parë elektorale

Nga Red VARAKU

I ndodhur përballë një refuzimi të vazhdueshëm dhe bllokimi të qartë të integrimit me kushte të ashpra prej 2014 nga Bashkimi Europian, Edi Rama është detyruar t’i qaset ndryshe nga çdo kryeministër tjetër çështjes së integrimit.

Ai nuk ka zgjedhur ta debatojë, sepse ai e ka të qartë që bllokimi i integrimit në fakt është një mekanizëm që Europa përdor si presion kundër qeverive të korruptuara me qëllim vetëkorrigjimin ose largimin e tyre. Ai me arrogancë ka zgjedhur ta injorojë fare si kartë elektorale atë.

Madje ndryshe nga parardhësit e tij që kanë akuzuar opozitën si fajtore në lidhje me këtë bllokim, ai ka shkuar deri aty sa po akuzon vetë BE si përgjegjëse të këtij bllokimi.

Kjo së pari sepse ai e di mirë se bllokimi i integrimit thërrmon çdo pretendim të qeverisë për suksese imagjinare dhe së dyti me qëllim defaktorizimin e rolit të Europës dhe defaktorizimin e rolit të opozitës.

Në fakt, ai është i pari kryeministër shqiptar, i cili po sillet me papërgjegjshmërinë më të madhe në raport me ndëshkimin elektoral që sjell bllokimi i integrimit apo përfitimin elektoral që sjell hapja e integrimit për zgjedhjet.

Por, nuk duhet të harrojmë që prej rënies së regjimit, integrimi europian ka qenë dhe mbetet karta kryesore elektorale e çdo qeverie për shkak të ndjeshmërisë që ka populli ynë në raport me perëndimin.

Në 2005 arsyeja sepse PS kaloi në opozitë ishte pikërisht për shkak të refuzimit të kushteve të BE. Në emër të integrimit u krijua dhe partia e tretë në vend , e cila për hir të së vërtetës duhet pranuar që prej 2005 ka qenë faktori kryesor i ndryshimit të pushtetit në Shqipëri gjithmonë nën kartën e fortë të integrimit, që mbetet e padiskutueshme për shqiptarët.
Në 2013 Sali Berisha u përpoq shumë që të mos e merrte përsipër koston e bllokimit të integrimit që asokohe lidhej me marrjen e statusit dhe të gjithë e mbajmë mend mosvotimin e tre ligjeve për shkakun ordiner të votimit në qarkun e Fierit.

Diskretitimi që iu bë asokohe opozitës kishte pikërisht si qëllim ngarkimin e saj me koston e bllokimit të integrimit. Kjo sepse Berisha e njihte mirë efektin shkatërrues që ka tek shqiptarët bllokimi i integrimit dhe koston që ka kjo për çdo kryeministër dhe në fakt bllokimi i integrimit në 2013 e dha efektin.

Avantazhin që krijon mendjelehtësia e këtij kryeministri në raport me kartën elektorale të integrimit e ka kapur me lehtësinë më të madhe opozita, e cila sot ndjehet shumë komode, sepse sot të gjithë e kanë të qartë se kush është fajtori për shkak të të cilit Europa po na bllokon.

Gjithashtu, këtë avantazh e ka kapur sërish Ilir Meta, i cili tashmë e ka kthyer kryeministrin në kokë turku për dështimin e integrimit. Si një ujk i vjetër i politikës që identifikohet me integrimin, ai e njeh mirë fuqinë elektorale që ka kjo kartë tek shqiptarët dhe tani kërkon ta kthejë 25 prillin edhe në një referendum për Europën.

Pra, në terma politikë, identifikimi i këtij kryeministri me pengesën dhe përgjegjësin kryesor të bllokimit të integrimit, kthimi i tij në kokë turku për integrimin, është një fitore e jashtëzakonshme e opozitës në raport me kartën më të fuqishme elektorale për popullin shqiptar, sepse e kthen 25 prillin jo vetëm në një ditë zgjedhjesh, por në një referendum për Europën.

Dhe në një vend ku 99,9% e popullit janë proeuropianë, që njihet për ndjeshmërinë e lartë që ka ndaj integrimit, është e qartë se kush ndëshkohet dhe kush fiton.