Pa asnjë bilanc në punë publike, Rama ka filluar të na furnizojë me filma nga Kinostudio “Shqipëria e Rilindur”

Nga Vehap KOLA

Pa asnjë bilanc në punë publike, Rama ka filluar të na furnizojë me filma nga Kinostudio “Shqipëria e Rilindur”, ku përzihet realiteti me fantazinë.

Në videon e postuar sot nga Rama në faqen e tij, nuk kuptohet ku mbaron fakti dhe ku nis fiction-i.

Rama shfaq për publikun skena të shpërthimeve me tritol nën solemnitetin e kolonës zanore të zgjedhur djallëzisht për të krijuar mbresën e madhështores.

Mbishkrimi pompoz i shifrave qesharake të punimeve të pretenduara “3.2 km rrugë të reja”,

“10,000 metër kub dhé të zhvendosura” kërcasin mbi 145 km autostradë të ndërtuar në terrenin më të vështirë të Shqipërisë nga qeveria e Partisë Demokratike.

Në produksionet e Kinostudios “Shqipëria e Rilindur” ekzagjërohet milimetrikja duke iu mbivendosur qindra kilometrave infrastrukturë.

Ndërtimi i tunelit më të gjatë në Ballkan nga qeveria Berisha duket një çikërrimë përpara lavdisë së zëvendësimit të llampave dhe filtrave të ventilatorëve në tunelin e Kalimashit.

Margaritari i gjithë këtij dallimi epokal midis ndërtimit banal të rrugëve dhe autostradave fuksionale dhe qendisjes europianizuese nga dora e Arkitektit të Madh është ura e re e Drinit në hyrje të Kukësit.

3D-ja drithëruese e Kinemasë “Shqipëria e Rilindur” i tejkalon rrufeshëm kufijtë e të besueshmes për t’u shndërruar në një dëshirë përvëluese, që të ngre pezull nga divani apo karrigja dhe të shpie fluturimthi në buzë të urës së varur në një kremastar bronzi.

Aty s’të nevojiten më as sytë për të parë ku hedh hapat, as veshët për të dëgjuar ardhjen e butë të Drinit të Zi.

Të mjafton besimi symbullur e veshtaposur ndaj mrekullisë së Arkitektit të Madh, Mesias së Adriatikut, dhe ti mund të ecësh mbi urën 3D ose mbi syprinën jeshilonjë të Drinit (pasi është e njëjta gjë).

P.s. Në qofshit mjaftueshëm të sinqertë si besimtarë të Kishës së Rilindur të 3D-së sa të kaloni në bregun tjetër të Drinit të Zi, hidhini një sy grafikut të mëposhtëm, që tregon se sa është investuar nga të dy qeverisjet në ndërtimin e rrugëve dhe autostradave në 2 mandatet respektive.

Burimi: INSTAT

ttt 1