Ballina Aktualitet Përlahen 368 mijë vaksinat e blera nga Ministria e Shëndetësisë, punonjësi e...

Përlahen 368 mijë vaksinat e blera nga Ministria e Shëndetësisë, punonjësi e konfirmon: Nuk ka për momentin, presim…

Më datë 6 tetor në Komisionin e Shëndetësisë, Ministrja Ogerta Manastirliu njoftoi se janë blerë 368 mijë vaksina për të përballuar situatën gjatë periudhës vjeshtë-dimër.

“Do të vijojë vaksinimi i grupeve të riskuara. Janë 368 mijë vaksina të cilat janë blerë për tu ofruar falas”, thoshte Manastirliu.

Por ku shkuan këto vaksina? Pas vetëm një jave aplikim në grupet e riskut, vaksinat duket se janë zhdukur nga qarkullimi. Nëpër qendra shëndetësore ka mungesë të tyre prej më shumë se një jave, ndërkohë qe ende nuk dihet se kur mund të mbërrijnë. Ndërsa personave që nuk hyjnë në grupet e riskut, u duhet t’i blejnë privatisht këto vaksina, pasi qendrat shëndetësore nuk i ofrojnë. Në redaksinë e Fax Neës ka mbërritur kjo video, ku punonjës të qendrës shëndetësore, pohojnë se nuk ka vaksina.

“Nuk ka për momentin. Kishte por nuk ka më. Ka pasur fluks, kanë marrë ata që kanë pasur më shumë nevojë. Për momentin nuk ka. Bisedon me mjekun e familjes të të japë vërtetim dhe kur të marrim ne në telefon”, thotë punonjësi.

Pasi u pyet se kur mund të vijnë vaksinat e tjera, nuk dha një përgjigje konkrete por sqaroi: “Presim. Kur të vijmë ju marrim në telefon.”

Sipas mjekëve periudha më e rekomandueshme dhe e përshtatshme për aplikimin e vaksinës është gjatë muajve shtator-tetor. Megjithëse pak ditë kanë mbetur nga përfundimi i muajit tetor, këto vaksina janë në mungesë, ndërsa nga ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë reagim për sqarimin e situatës.

Exit mobile version