Balla: Duam talente të reja për deputete

PS kërkon talente të reja për deputete. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, në fjalën e tij përpara qytetarëve, ka prezantuar nismën “Deputeti që duam”.

Balla tha se kjo nismë synon që të ketë pranë PS-së talentët më të mira, duke shtuar se Partia Socialiste dëshiron që të krijojë një ekip fantastik politik, për të fituar zgjedhjet e 25 prillit.

Taulant Balla:

Reforma zgjedhore shënon një moment historik në demokracinë shqiptare. Hapja e listave nuk është vetëm një hap më pranë BE-së dhe formës evropiane të përfaqësimit. Eshtë një formë e re e pushtetit të qytetarit shqiptar, të cilit i takon me të drejtë kjo fuqi.

Tashmë nuk do të votoni më vetëm për emrin e partisë. Nuk do të votoni më vetëm për kreun e partisë. Emri në fletëvotim tani do të jetë dikush që ju me gjasë e njihni.Mund të jetë dikush nga rrethi juaj, dikush nga rruga juaj, mund të jesh ti.

Ky ndryshim përfaqëson thelbin e vlerave të PS. Ne duam që njerëz të freskët, të rinj, të talentuar të vijnë në parlament dhe të përfaqësojnë zonat e tyre elektorale. Ne e kemi nisur këtë fushatë në mënyrë që të gjejmë kandidatët më të mirë nga të gjitha, rajonet, qytetet, nga i gjithë vendi. Ne e kuptuam se mënyra më e mirë për të arritur Shqipërinë që duam është të kemi deputetin që duam.

Ne j’u bëjmë thirrje njerëzve të aplikojnë apo të nominojnë dikë që ata njohin, që ata besojnë se do të t’i përfaqësonte denjësisht ata. Ne jemi duke kërkuar për njerëzit më entuziastë, të kualifikuar dhe më të përgjegjshëm, për të qënë pjesë e listës së PS. Ne do t’i shtojmë listës sonë këta njerëz të rinj, prandaj kjo fushatë do të bëjë vërtet ndryshim.