Ballina Uncategorized Pse Rama po del kundër BE-së për “çështjen e detit”?

Pse Rama po del kundër BE-së për “çështjen e detit”?

Diplomati i njohur Shaban Murati ka bërë një shënim në faqen e tij në FB, të cilin e nis me një pyetje retorike: A i lexon qeveria konkluzionet e samitit të BE?!

Murati shkruan se në datat 1 dhe 2 tetor të këtij viti u mblodh samiti i kryetarëve të shteteve anëtare të BE-së, të cilët folën dhe nxorën konkluzione, edhe për situatën në Mesdheun Lindor.

Në konkluzionet e këtij samiti përfshihet çështja mes Greqisë dhe Turqisë, duke mos njohur pretendimet aktuale të Athinës dhe përshëndetet fillimi i bisedimeve.

Ndërsa “historia” që ka hapur Greqia me Shqipërinë së fundmi dhe shtrirja e saj 12 milje të tjera në detin Jon, as që përmendet fare në këtë samit.

Sipas diplomatit Murati, përderisa këto pretendime të qeverisë helene për zgjerim edhe 12 milje nuk njihen nga BE, përse qeveria shqiptare u mallëngjye dhe i lexonte publikut Konventën e Detit, si zbulim dhe si letër dashurie nga Akropoli?!

Shënimi i plotë i diplomatit Shaban Murati

A i lexon qeveria konkluzionet e samitit të BE?!

BE nuk i njeh pretendimet e Greqisë për shelfin kontinental dhe zonën ekskluzive ekonomike, në hapësirat detare midis Greqisë dhe Turqisë. Ky qëndrim zyrtar diplomatik i nivelit më të lartë është shprehur në mënyrën më të qartë në komunikatën përfundimtare të samitit të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE, i zhvilluar në datën 1-2 tetor 2020 në Bruksel.

Në konkluzionet e samitit për marrëdhëniet e jashtme, në kapitullin për Mesdheun Lindor, për konfliktin midis Greqisë dhe Turqisë në këtë rajon të Mesdheut, në pikën 16 deklarohet tekstualisht:

“BE përshëndet njoftimin që Greqia dhe Turqia do të fillojnë bisedimet e tyre direkte eksploruese, që synojnë delimitimin e shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive midis dy vendeve”.

Pra BE nuk i njeh pretendimet e shpallura të Greqisë për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive në Mesdheun Lindor dhe i cilëson ato si të papërcaktuara midis dy vendeve, delimitimi i të cilave sipas samitit të BE është objekti, që synojnë bisedimet direkte eksploruese midis dy vendeve.

Kjo do të thotë që për të kuptuar tensionet në Mesdheun Lindor duhet lexuar se çfarë thotë samiti i BE dhe diplomacia e nivelit më të lartë të BE edhe jo se çfarë thotë kryeministri Micotaqis, apo ministri i jashtëm Dendias.

Konkluzionet e samitit të BE, jo nuk e përshëndesin, por as e zënë me gojë të drejtën të Greqisë për të zgjeruar ujërat territoriale greke në 12 milje në detin Jon dhe në detin Mesdhe, akt për të cilin në vend që të alarmohesh, qeveria shqiptare u mallëngjye dhe i lexonte publikut Konventën e Detit, si zbulim dhe si letër dashurie nga Akropoli.
Injorimi i samitit të BE për të futur në konkluzionet e veta të drejtën e Greqisë për të ndryshuar hapësirën e ujërave territoriale në 12 miljë është shenjë e qartë diplomatike e nivelit më të lartë e mosaprovimit nga BE. të ambicieve greke për të kthyer Mesdheun në një det grek.

Shpresa ime është që qeveria e Shqipërisë, të gjejë kohë në pushimet midis dy shfaqjeve televizive dhe të lexojë komunikatën e samitit të BE për mosnjohjen e pretendimeve greke për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike ekskluzive në Mesdheun Lindor.

Kjo do ta ndihmojë të nxjerrë mësimet e duhura për të ruajtur interesat e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Shqipërisë përballë opiumit të ri detar, që dyshja Micotaqis-Dendias po i servir me nxitim qeverisë shqiptare.

Exit mobile version