Shpërthen Solis: Rama si një pusetë që po qelb vendin, PD gati për qeverisje, do sjellë të mira

Ish-ministri i Shëndetësisë në kohën kur qeveriste ish-kryeministri Sali Berisha, Leonard Solis ka komentuar situatën politike në vend, ku fryma e debatit vijon të përqendrohet tek Kodi Zgjedhor.

I ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’ Solis pohoi se situata aktualisht është e paprecedentë, ndërsa opozita e vërtetë është jashtë parlamentit. Ai sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, ndërsa e cilësoi këtë të fundit një fatkeqësi kombëtare.

“Më duket një situatë e paprecedentë si asnjë herë tjetër. Me një parlament jashtëzakonisht të keq, jashtëzakonisht të zhvendosur. Disa njerëz të marrë gati me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe që përfaqësojnë vetëm gratë e tyre, dhe i thonë; ‘mos voto, voto’. Opozita e vërtetë është jashtë parlamentit.

Po spekulohet me këtë parlament. Reforma që po bëhet në drejtësi, që s’i duket fundi, ka sjellë dëme të jashtëzakonshme. Na ka futur në një rrugëkryq. Fryma është e keqe, pasi një njeri i vendosur në presion, mund të bëjë ndryshe. Diplomatët duhet të kenë rolin e tyre dhe jo të përdoren. Unë e quaj Edi Ramën fatkeqësi kombëtare, e them i pareshtura në ndonjë forcë politike. Ka bërë gabime afatgjata, gafa. Do vetëm veten e tij.

Këtu është një pusetë me kapakun e hapur. Kur të ikë Edi Rama, do e shihni sa do të qelbë ky kapak. Nuk jam në politikë. E shoh situatën me keqardhje. Do marrë një mandat të tretë më timonin? Me kusinë? Me kazanin?! Për ca e do mandatin e tretë ai? Të na dh…fare për nja 10 vjet?

Opozita e vërtetë nuk duhet ta braktiste anijen, pavarësisht motit të keq. PD është shumë më gati se Edi Rama. Boll që të priten ato zullume. Boll që të vijë, dhe unë them se do të bëhen gjëra të mira. Po të isha si ai, do kisha ikur vetë. Listat Edi Rama i ka bërë si pantallonat e tija. Kur isha ministër, Rama kishte ca pantallona që i hapte me komça.

Ose hapen listat, ose mbahen të mbyllura. Listat e hapura mund të bëhen. Policia e Shtetit sot më duket si gjobaxhie. Ministri Lleshaj më duket jeniçer, më duket se bën atë që thotë Rama.”, tha Solis.

Ish-ministri i Shëndetësisë Leonard Solis, i ftuar në emisionin “Kjo javë” nga gazetarja Nisida Tufa në “News 24” deklaroi se është spekuluar me pandeminë e koronavirusit.

Solis theksoi se duhet të ishin masivizuar testimet, ndërsa shtoi se pesha më e madhe iu ngarkua Tiranës, në një kohë që mund të ishte bërë një shpërndarje e rasteve edhe nëpër rrethe.

“Është spekuluar edhe me pandeminë. Por them se ISHP është ngritur. Ndërsa, Komiteti duhet të ishte pak më i shkathët në testet, duhet të kishte më shumë testime. Strukturat private kanë shërbyer shumë për të shfryrë situatën. Duhen teste të shpejta. Pesha u përqendrua në Tiranë, unë do e kisha decentralizuar çështjen.

Shkodra për shembull ka spitalet e veta, nuk ka përse t’i sjellë në Tiranë, Korça etj kanë spitalet e tyre. Në Tiranë duhet të vinte vetëm ai që është në gjendje më të rëndë. Nuk duhej pesha vetëm në kryeqytet. Duhet ta ruanim mjekun më shumë nga infektimi me koronavirus. Iku frika e madhe dhe njerëzit tani janë me këmbë në tokë”, tha Solis.

Leonard Solis theksoi se tashmë paniku nga pandemia ka ikur, ndërsa shtoi se vdekshmëria nga Covid-19 ka rënë ndjeshëm.

“Fatmirësisht ka ikur paniku i madh, spitalet kanë fituar qetësinë e tyre, jemi të pozicionuar më mirë, megjithëse pandemia nisi si një gabim. Pandemia të fton të bësh një lojë në llucë. Nisi si një gabim, sepse aty ku shpërtheu u përhap në mënyrë të menjëhershme në botë.

Tani ka avancuar edhe mënyra e trajtimit. Grushtin do ia japë vaksina dhe vetëm atëherë do të jemi të qetë. Nuk do doja që me Covid të luhej politikisht. Spitalet Sanatorium dhe Infektivi po bëjnë punë heroike.

Tani njihen më mirë rastet dhe në spital paraqiten ata që janë realisht për të shkuar atje. Edhe spitalet publike, edhe ata private janë duke bërë një punë shumë të mirë. Ne edhe në spitalet private po punojmë mirë. Spitalet private bëjnë punë shumë të madhe me punën ventilatore”, deklaroi Solis.

Po ashtu Solis bëri thirrje që antibiotiku mos të përdoret gjerësisht pa rekomandim.

“Një gabim është mos-decentralizimi. Ndaj mjeku i familjes duhet të veprojë. Mos abuzoni me antibiotikun. Mjeku i familjes, nëse do të zhvilloheshin seminare periodikisht, do të ishte mjeku i familjes ai që do të shihte nëse shkon mirë situata dhe jo të vinin me tezga në spital. Ne jemi një komb sa herë vjen ne mëngjes në punë, pështyn në rrugë. Burra e gra, të gjithë. Mjeku i familjes luan rol.”, tha Solis.