Ambasadori i Gjermanisë: Të respektohet marrëveshja e 5 qershorit, të përmbushen kushtet e Bundestagut

Ambasadori i Gjermanisë i ka bërë thirrje partive politike të punojnë fort me një frymë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik, më 5 qershorit.

Në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, ambasadori Peter Zingraf vuri theksin tek zgjedhje të lira, të ndershme e të paqta në datën 25 prill 2021.

“Zgjedhje të lira, të ndershme e të paqta në datën 25 prill 2021 janë me rëndësi qendrore për të ardhmen politike të vendit, i cili është para sfidash të rëndësishme: rindërtimi pas tërmetit, menaxhimi i pasojave të Coronës, nisja dhe formësimi i bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Ndaj hapat e mëtejshëm në zbatim të marrëveshjes mbi Kodin Zgjedhor të arritur në Këshillin Politik në datën 5 qershor duhet të vijojnë më tej në një frymë konstruktive gjithëpërfshirjeje. Koha deri në zgjedhje është e paktë, shumë duhet bërë ende”.

Ambasadori kujtoi dhe kushtet e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave.

“Kushtet, që Këshilli i BE-së i ka vënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj, u përgatitën vitin që shkoi nga Bundestag-u Gjerman dhe u pranuan njëzëri në vend si ‘Roadmap‘ për kalendarin shqiptar të reformave: Përmbushja e kushteve është në interesin thelbësor të vetë shqiptarëve për formësimin e të ardhmes së vendit të tyre.

Ndaj u bëj thirrje të gjithë atyre, që mbajnë përgjegjësi politike si dhe të gjitha institucioneve relevante të zbatojnë së bashku këtë prioritet kombëtar dhe të çojnë përpara reformat në mënyrë të vendosur e të besueshme. Vetëm kështu njerëzit do të mund të rifitojnë besimin e nevojshëm në politikë dhe drejtësi”.