Preng Gjini, të cilit një ditë më parë iu bë atentat me tritol në kryeqytet ka ndërruar makinën para se të ndodhte atentati. Nga këqyrja e pamjeve filmike, rezulton se Preng Gjini ka qenë me një automjet tjetër të llojit “Fuoristradë”, të cilin e ka lënë pranë Pallatit me Shigjeta dhe më pas ka marrë automjetin tip Mercedes-Benz A Class, të cilit i ishte vendosur një sasi e konsiderueshme tritoli.
Burime thonë se lënda plasëse është vendosur në gomën e parë të mjetit nga ana e pasagjerit. Ndërkohë që makina që shpërtheu, rezulton e një të afërmi të Gjinit.
Burime nga Spitali i Traumës konfirmojnë se gjendja e Preng Gjini është e stabilizuar, por vijon të mbetet në trajtim intensiv.Të njëjtat burime shtuan se ka dëmtime serioze në sy, si dhe plagë të shumta nëpër duar e këmbë.
Silvano Barbadoni dhe një djalë i mitur kanë lënë spitalin që mbrëmjen e djeshme.
Me qëllim gjetjen e itinerarit që ka bërë objektivi atentatit, policia ka bërë sekuestrimin e dhjetëra filmimeve nga kamerat e sigurisë.
Preng Gjini ndodhej në makinë, ku autorët, ende të pa ndaluar nga policia, kishin vendosur eksploziv. Shpërthimi në zonën e njohur si “NSHRAK” ka shkaktuar panik te banorët e zonës. Nga shpërthimi u plagosën dhe dy kalimtarë, një 47-vjeçar italian jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dëmtime të lehta mori dhe një djalë 14-vjeçar.
Hetuesit dyshojnë se sulmi me eksploziv ka të bëjë me hakmarrje mes dy fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen, ku jo më larg se disa muaj më parë, Kastriot Reçi u ekzekutua me snajper. Preng Gjini është vëllai i Armando ose Tonin Gjinit nga qyteti i Rrëshenit, i cili mbeti i vrarë në gusht të një viti më parë. Ndonëse i kishte shpëtuar disa atentateve, ai u qëllua me breshëri automatiku në sy të fëmijëve të tij.
Por, edhe pse policia dyshon se sulmi ka si motiv hakmarrjen, në të gjitha ngjarjet e rënda nuk ka pasur asnjë të arrestuar. Seriali i vrasjeve nis në vitin 2016, kur u vra Sajmir Jaku, drejtor i Tensionit të Lartë në OSHE.
Një vit më pas, në Romë të Italisë u ekzekutua Gasper Reçi, i cili dyshohej se kishte lidhje me vrasjen e Jakut. Po atë vit, në Belgjikë plumbat i morën jetën 31-vjeçarit, Kreshnik Gjini. Ai ishte nipi i Sajmir Jakut dhe u dyshua se ishte vrarë në shenjë hakmarrje për ekzekutimin e Reçit në Romë.
Në 2019 u ekzekutua dhe vëllai i Preng Gjinit, Armando, ndërsa hakmarrja mes dy fiseve dyshohet se çoi dhe në ekzekutimin e Kastriot Reçit me snajper.