Ivi Kaso flet për listat dhe koalicionet: Rama nuk rrit standardin demokratik, por e zvogëlon atë…

Sekretari për çështje Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso në studion e ABC News më gazetaren Juli Xhokaxhi, foli për dy çështje të rëndësishme në politikën shqiptare. Listat dhe koalicionet.

Ai u shpreh se kjo qeveri nuk synon të realizoje zgjedhje në nivel standard.

“Ndryshimi i koalicioneve parazgjedhore ka qenë fokusi. Edi Rama është i mirëpritur të bëjë publik vizionin që në një kohë kaq të shkurtër të ndryshohet Kodi Zgjedhor, në masën më të madhe të tij. Të paktën 60%”, tha Kaso.

Kaso gjatë intervistës me gazetaren Juli Xhokaxhi u shpreh se tashmë nuk ka kohë për të bërë eksperimentet dhe për të hequr dorë nga garancitë që sipas tij tashmë janë të provuara.

Çfarë prodhon tjetër hapja 100% e listave?

Kaso: Ka shumë momente që duhen sqaruar. Kemi një kod zgjedhor që është ligj edhe material edhe procedural. Duhen prekur dispozitat që rregullojnë hapat e parë që duhet të ndjekë KQZ. Ka momente të tjera që preken drejtpërdrejt nga hapja e listave. Duhen prekur dispozitat që kanë të bëjnë me hartimin e fletës së votimin, dispozitat lidhur me përfaqësimin e subjekteve që kanë të bëjnë me teknologjinë, vëzhguesit dhe dispozitat që kanë të bëjnë me procesin e numërimit…

Më tej Kaso u shpreh: Subjektet garojnë dhe bëjnë reale planet e tyre të përbashkëta duke shfrytëzuar lirinë e asocimit. Është një nocion që materializon një standard demokratik. Por me ndryshimet  e njëashme Kushtetuese, duke ndalur koalicionet parazgjedhore u hiqet e drejta e qytetarëve që të votojnë për siglën e partisë për të cilën ata dëshirojnë dhe do të jenë të detyruar për një subjekt të përbashkët. Këtë bën Edi Rama nuk rrit standardin demokratik, por e zvogëlon atë. Pra do të shkohet nga një sistem bipolar drejt një sistemi njëpartiak.

Në rast se vendoset për lista të hapura 100%, çfarë ndodh me listën e kandidatëve?

Kaso: Do të ketë një listë që do të depozitohet nga subjektet që do të garojnë. Në varësi të modaliteteve që do të përzgjidhen qytetarët do të kenë të drejtë të shprehen.