Reagojnë pro-rusët në Serbi: Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, tradhëti ndaj Rusisë

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar të premtën marrëveshjen historike në Washington. Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë marrëveshje thuhet se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për normalizimin ekonomik. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit amerikan Donlad Trump. Eksperti i sigurisë Agim Musliu thotë se, kjo marrëveshje ka elemente anti-ruse dhe anti-kineze. Sipas tij, pozicinimi pro-amerikan i Vuçiqit është vërejtur atëherë pas ndërhyrjes së inteligjencës ruse në Serbi.

“Kjo marrëveshje ka elemente të pozicionimit anti-rus dhe anti-kinez. Orientimi pro-amerikan i Vuçiqit, është i vërejtshëm veçmas pas nderhyrjeve të inteligjencës ruse në Serbi. Atë kohë, Vuçiqi pyeti hapur rusët: pse?”, tha Musliu për Telegrafin.

Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për normalizimin ekonomik
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kanë reaguar ultranacionalistët pro-rus në Serbi.

Sipas tyre, kjo marrëveshje ia fut “gishtin në sy” Rusisë.

“Me atë se çfarë bëri në Washington, Vuçiqi i futi gishtin në sy Rusisë, Kinës, Iranit, gjithë botës arabe, Gjermanisë, BE-së dhe Palestinës me të cilët kemi marrdhënie diplomatike”, ka shkruar në Facebook, drejtoresha e Qendrës për Studime Gjeostrategjike në Beograd, Dragana Trifkoviq.

Kurse, pranimin e Kosovës si shtet të pavarur nga Izraeli, gazetari kontravers i Russia Today, Boris Malagurski, e ka quajtur debakël të Vuçiqit në politikën e jashtme.

“Njohja e Kosovës nga Izraeli është si rezultat i marrëveshjes në Washington, dhe është debakli më i madh i Vuçiqit në politikën e jashtme”, ka shkruar Malagurski në Facebook.