Ballina Aktualitet Rama ngre gjithë shtetin në këmbë për të gjetur “spiunët” që zbuluan...

Rama ngre gjithë shtetin në këmbë për të gjetur “spiunët” që zbuluan milionat që i dha Bollinos

Katër zyrtarë të Tatimeve janë pezulluar nga detyra, pas një kontrolli të kryer nga Departamenti Anti-Korrupsion pranë Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në vijim të publikimit nga ana e Partisë Demokratike të disa faturave, me vlerë rreth 1 miliardë lekë, mes biznesmenit Igli Gjelishti dhe botuesit Carlo Bollino.

Mësohet se përfaqësues të strukturave të larta shtetërore kanë kryer krijuar dyshime se dy inspektorë të vlerësimit dhe dy të hetimit tatimor mund të jenë përgjegjës për nxjerrjen e informacionit.

Nuk është hera e parë që të dhëna tatimore për kompani të ndryshme bëhen publike. Por, rasti më i fundit shënon një ndër precedentët e rrallë që strukturat e larta qeveritare vihen në lëvizje për nxjerrje faturash tatimore.

Një angazhim i tillë është parë vetëm në vitin 2013, kur u mendua se ishte klonuar ose fshirë serveri qendror i Tatimeve. Rasti më i fundit, ai i shkëmbimit të faturave mes Gjelishtit dhe Bolinos është shumë larg rëndësisë së asaj që u dyshua se ndodhi 7 vite më parë.

Megjithatë, vartësit e kryeministrit Edi Rama në Departamentin Anti-Korrupsion, e kanë vlerësuar të një rëndësie madhore publikimin e faturave tatimore të shkëmbyera mes Gjelishtit dhe Bolinos dhe, për këtë arsye, kanë ndërmarrë një “operacion” të befasishëm kontrolli në administratën tatimore.

Mësohet se katër inspektorët e pezulluar pritet të kallëzohen në Prokurori, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “ndërhyrjes së paautorizuar në rrjetet kompjuterike”.

Pak ditë më parë, Partia Demokratike publikoi të dhëna zyrtare nga administrata tatimore, në të cilat rezultonte se zyra private e inxhinjerit të IT, Igli Gjelishti, kishte fituar disa qindra miliona lekë (të reja) në tenderat e zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Nga ana tjetër, sipas denoncimit të Partisë Demokratike, Gjelishti kishte paguar rreth 1 miliardë lekë (të vjetra) në kompanitë në pronësi të botuesit Carlo Bollino dhe bashkëshortes së tij, Alba Malltezi.
Pas publikimit të faturave, Partia Demokratike ngriti dyshimet se qeveria e Edi Ramës, nëpërmjet tenderave “fiktivë” për Gjelishtin, “ka paguar 1 miliardë lekë për Carlo Bollinon, i cili i bën propagandën qeveritare në mediat e tij”.

Biznesmeni Igli Gjelishti i hodhi poshtë këto pretendime. Në dy deklarime publike, ai ka deklaruar se tenderat i ka fituar në përmbushje të ligjit dhe se me botuesin Carlo Bollino ka një bashkëpunim të hershëm financiar, si edhe miqësi.

Edhe botuesi Carlo Bollino hodhi poshtë akuzat e Partisë Demokratike. Në një editorial të publikuar në gazetën on-line në pronësi të tij, “shqiptarja.com”, Bollino shkruan se raportet e tij me Gjelishtin janë normale ndërmjet dy subjekteve privatë, si edhe hodhi dyshime për abuzim nga ana e zyrtarëve të administratës tatimore, të cilët kanë furnizuar Partinë Demokratike me fatura të subjektit të tij privat.

Reagimet e biznesmenëve erdhën pak orë para se grupi i inspektimit nga Departamenti Anti-Korrupsion dhe AKSHI mbërritën në zyrat e Tatimeve, për të zbuluar personat që i kanë dhënë informacion Partisë Demokratike./Bold News

Exit mobile version