Rama ndjen përmbytjen, largon gjysmën e qeverisë për të shpëtuar, ministrat që do bëhen “koka turku”

Tashmë fushata elektorale de facto ka filluar. Opozita është në kuota të larta në raport me Rilindjen. Bile nëse opozita shkon e përbashkuar, ajo merr mbi 84 mandate deputetësh, duke bërë që PS-ja të marrë përqindjen më të ulët në krejt historinë e saj në 30 vite.

Ndërkohë Edi Rama synon t’i bëjë një makiazh qeverisë. Burime të mirëbesuara tregojnë se kryeministri do të mbajë në kabinet vetëm Olta Xhaçkën, Ogerta Manastirliun, Erion Braçen, Arben Ahmetajn, Bledi Çuçin, Anila Denaj dhe mundet edhe Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Një emër që do të futet në kabinet është Zef Mazi që shkon ministër i jashtëm. Mazi mbetet një personalitet në fushën e diplomacisë.

Sinjali për ndryshimet në qeveri u dha me emërimet e koordinatorëve dhe përgjegjësve të fushatës elektorale. Pjesa më e madhe e ministrave si; Pandeli Majko, Eduard Shalsi, Belinda Balluku, Blendi Klosi, Sandër Lleshaj, Genc Cakaj e Besa Shahini nuk u përfshinë në ekipin që do të merren me organizimin e fushatës për mandatin e tretë qeverisës që kërkon Edi Rama.

Mesa duket kreu i qeverisë nuk beson se shumica e anëtarëve të kabinetit të tij mund të përfaqësojnë PS-në në bazë, edhe pse u ka dhënë postet ministrore. Emrat nuk janë përfundimtarë dhe mund të ndryshohen në minutat e fundit, por përzgjedhja e Edi Ramës për fushatën elektorale dëshmon dhe synimet që ka vendosur për ndryshimet në qeveri.

Pas kësaj ndarje të punëve, nuk është çudi që brenda PS të nis lufta brenda llojit dhe këto ditë të ketë lajme pa fund kundër ministrave të piketuar, me sponsorizim nga vet Rilindja. Ndërkohë duhet thënë se përveçse pak ministrave që kanë krijuar një profil të spikatur dhe nuk janë përmendur në afera korruptive, pjesa tjetër e kabinetit është pa identitete.

Janë emrat që Edi Rama i ka përdorur për aferat e koncesioneve dhe skandaleve qeveritare. Në thelb qeveria e Rilindjes ka gjithë profilin e Edi Ramës e në shumicën e rasteve ministrat duken si sekretarë të kryeministrit, sesa zyrtarë me autoritet. Ndaj dhe fajësimi i tyre për dështime është si tu biesh më qaf kotë, sepse me Ramën kryeministër nuk kanë pasur asgjë në dorë. Nëse ka një përgjegjës për keqqeverisjen ai është Edi Rama, ministrat janë mish për top që përdoren sa herë ka ndonjë hall kryeministri dhe bën sikur ndryshon qeverinë.

Pushteti total kontrollohet nga Edi Rama në radhët e Rilindjes dhe këtë dëshmoi me fuqizimin e pozicionit të tij, dublimin që i bëri Erion Veliajt në fushatën e Tiranës, duke i vendosur në krah Elisa Spiropalin dhe Ervin Bushatin.