Mitsotakis thirrje Erdoganit: Jam i gatshëm për dialog, mjaft me kërcënime

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë këtë të premte se Turqia duhet të ndalë “kërcënimet”. Deklarata e Mitsotakis vjen pas palajmërimeve nga NATO-ja se të dyja vendet janë pajtuar për të nisur dialogun për uljen e tensionit në Mesdheun lindor.

“Kërcënimet duhet të shuhen në mënyrë që kontaktet të fillojnë”, ka thënë Mitsotakis.

Ndër të tjera ai ka theksuar se ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, sot do të zhvillojë një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ku do e informaojë në lidhje me “veprimtarinë e paligjshme” të Turqisë.

Ndërkohë një ditë më parë Greqia ka mohuar se ka rënë dakord të zhvillonte bisedime me Turqinë, të ndërmjetësuara nga NATO -ja, për të ulur tensionet mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e kërkimit të gazit dhe naftës në rajon.

“Informacioni i botuar që pretendon se Greqia dhe Turqia kanë rënë dakord të mbajnë të ashtuquajturat ‘bisedime teknike’ mbi uljen e tensioneve në Mesdheun lindor nuk kanë të bëjnë me realitetin”, ka thënë ministria e Jashtme e Greqisë.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur pasi Turqia më 10 gusht dërgoi anije kërkimore dhe ushtarake në Mesdhe, veprim që nga Greqia dhe Qipro është konsideruar shkelje sovraniteti. Greqia u përgjigj duke organizuar stërvitje detare me disa aleatë të BE-së dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Bashkimi Evropian ka kërkuar vazhdimisht nga Turqia të ndalojë aktivitetet e kërkimit duke kërcënuar me vendosje të sanksioneve ndaj Ankarasë nëse ajo nuk pranon të zgjidhë mosmarrëveshjen përmes dialogut.