Ballina News Basha pas takimit me Presidentin: Shumica e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot, qytetarët...

Basha pas takimit me Presidentin: Shumica e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot, qytetarët kanë nevojë urgjente për punë

Kryetari i PD, Lulzim Basha, pas takimit me Presidentin Ilir Meta u shpreh për mediat se, “shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot, jo nesër!

Basha nuk e bëri të ditur publikisht datën e propozuar, por theksoi se “shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot, jo nesër, se janë të lodhur nga propaganda dhe mashtrimet.”

Basha nënvizoi se “qytetarët kanë nevojë urgjente për punë; biznesi për mbështetje; mjekët dhe infermierët për paga; fermerët për subvencione; të rinjtë për arsimim dhe punësim; pensionistët për rritje reale, jo elektorale të pensioneve. Pra, shumica reale e shqiptarëve kërkon zgjedhje dhe zgjedhje sot, jo nesër.

Për ne, e rëndësishme është që procesi të jetë i ndershëm. Por do të citoj fjalët e Nënë Terezës, e cila nesër ka dhe ditën e Shenjtërimit se, “e djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur akoma, ndaj të fillojmë menjëherë të punojmë për të sotmen për të nesërmen, duke filluar nga sot për ndryshimin”.

KOMUNIKIMI ME MEDIAN I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA PAS TAKIMIT ME PRESIDENTIN ILIR META

Pyetje: Çfarë date kërkuat zoti Basha?

Basha: Shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot, jo nesër. Ata duan zgjidhje sepse janë të lodhur nga propaganda, nga dështimet dhe mashtrimet.

Qytetarët kanë nevojë urgjente për punë.

Biznesi ka nevojë urgjente për mbështetje.

Mjekët, infermierët kanë nevojë për rritje pagash, për kushte dinjitoze për t’u përballur me kolapsin e sistemit shëndetësor i cili është bërë edhe më i dukshëm prej pandemisë.

Fermerët kanë nevojë për subvencione, kanë nevojë për treg shitje.

Të rinjtë kanë nevojë për mundësi për arsimim dhe punësim që të qëndrojnë, dhe të jetojnë e të ndërtojnë jetën e tyre këtu në Shqipëri.

Pensionistët kanë nevojë për rritje reale, jo elektorale të pensioneve.

Pra, shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje dhe zgjidhje sot, jo nesër.

Për ne e rëndësishme është që procesi të jetë i lirë dhe i ndershëm.

Dhe për ta mbyllur me fjalët e Nënë Terezës meqë nesër ka edhe ditën e Shenjtërimit, “E djeshmja ka shkuar. E nesërmja nuk ka ardhur akoma. Prandaj le të fillojmë të punojmë menjëherë për të sotmen dhe për të nesërmen, duke filluar sot të punojmë për ndryshimin”.

Faleminderit!

Exit mobile version