Pafuqia e kryeministrit për të ndalur vetëvrasjen e tij politike

Nga Red VARAKU

Edi Rama ka vendosur të mos dëgjojë Brukselin dhe Uashingtonin dhe të investohet sërish drejt qëllimit të tij për të vjedhur me çdo kusht edhe një mandat tjetër, nëpërmjet ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe lidhjeve të tij me kriminelë me famë.

Duke injoruar kështu paralajmërimet e Perëndimit për të mos e prekur marrëveshjen e pesë qershorit , duke ua bërë kështu të gjithëve të qartë, se me veprime të tilla dhe të tjera si këto, ai nuk e ka kuptuar mesazhin që ka pothuajse dy vjet që i vjen nga Perëndimi, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Prej 22 vjetësh në pushtet, pa asnjë bilanc pozitiv, është e qartë që ai është një opportunist tipik, i cili thjesht bēn premtime për të mashtruar qytetarët, të cilat as që mundohet t’i mbajë dhe nuk ka as turp t’i mohojë.

Ndërsa këto dy mandate ai ka mbjellë vetëm terror politik për të asgjësuar kundërshtarët e tij nëpërmjet arrestimeve, tritolit, sekuestrimeve apo gjobvënieve . Ai po udhëheq përmes një oligarkie sunduese autokratike të centralizuar.

Ai sulmoi me të gjitha format opozitën, asgjësoi revoltat, shkatërroi shtypin dhe krijoi një “kapitalizëm oligarkik”, i cili e zhveshi qytetarin nga çdo e drejtë. Edvini dëshmoi se nuk ishte tjetër vetëm se një trashëgimtar i denjë i enverizmit.

Reformat e tij në drejtësi,shëndetësi, arsim, rend, ekonomi apo diplomaci rezultuan në një përpjekje për t’i kthyer ato në instrumente shantazhi kundër qytetarëve dhe në oaze militantësh parazitë në shërbim të pushtetit , që i thithin edhe pikën e fundit të gjakut një Shqipërie që po jep shpirt, ai thjesht nuk ka çfarë të japë më më keq se kaq.

Në fakt, shërbimin më të mirë vetes, PS dhe vendit të tij do t’ia bënte po të tërhiqej dhe të jepte dorëheqjen menjëherë pasi dolën përgjimet. Kështu do t’i kursente Shqipërisë agoninë që po përjeton prej gati dy vjetësh, do të përshpejtonte integrimin si dhe do t’i jepte mundësinë PS të ringrihej.
Vetëm kështu do të mund të shijonte vitet e fundit të jetës i rrethuar nga miliardat dhe luksi që ia ka krijuar vetes dhe familjes nga koha e kaluar në pushtet.

Por, jo. Është e qartë që ai nuk do t’ia dijë as për shqiptarët, as për integrimin dhe aq më pak për anëtarët e thjeshtë të PS. Ai është aq i pafytyrë dhe i pangopur sa kërkon edhe një mandat tjetër për të asgjësuar plotësisht demokracinë.

Duke qenë se e ka të qartë se nuk mund t’i fitojë kurrë zgjedhjet në mënyrë të ndershme, ai ka nisur përpjekjet për të bërë çmos, për t’i vjedhur ato duke ndryshuar kushtetutën në mënyrë të njëanshme, po me të njëjtët aktorë që i ka vjedhur deri tani, për t’i mohuar shqiptarëve sërish ëndrrën e tyre të madhe të integrimit.

Ashtu siç veproi para katër vjetësh, ku e gjithë PS parakalonte në përgjime me krimin e organizuar, duke shantazhuar dhe dhunuar qytetarët me qëllim trafikimin e vullnetit të tyre. Ashtu po vepron dhe tani.

Duke ndryshuar kushtetutën në mënyrë të njëanshme, ai veçse i dha një mesazh dhunuesve dhe trafikantëve të vullnetit qytetar për të nisur përgatitjen e terrenit për batërdinë elektorale të rradhës.

Gjithsesi, ndonëse e kanë përkrahur në shumë veprime të tij gjatë tetë viteve në pushtet, ndërkombëtarët kësa rradhe janë shprehur qartë që nuk do të vazhdojnë t’i japin mbështetje sidomos në veprime si këto të ditëve të fundit.

Por, ai ka vendosur të çajë vetë bllokadën imperialiste drejt vetëvrasjes së tij politike. Vetëm se veprimet e tij antidemokratike do t’i kushtojnë jo pak Shqipërisë dhe shqiptarëve, sepse me sjelljen e tij arrogante me siguri do t’i sjellë izolimin ndërkombëtar shqiptarëve.

Për shkak të tij, Shqipëria ka gjasa të bllokohet edhe më tej në rrugën drejt integrimit europian, pavarësisht se fajin për ngecje në këtë proces me muaj, me djallëzi po përpiqet t’ia ngarkojë opozitës.

Refuzimi për të pranuar një të vërtetë të madhe, që i është bërë e qartë disa herë brenda dy vjetësh, nëpërmjet shpullave të njëpasnjëshme të bllokimit të integrimit dhe 15 kushteve, se ai duhet të largohet me zgjedhje të lira dhe demokratike, e ka bërë të verbër këtë njeri.

Ai sot është kthyer jo vetëm në njeriun më të dëmshëm për interesat e qytetarëve shqiptarë, por edhe në njeriun më të rrezikshëm për demokracinë dhe stabilitetin e Shqipërisë.

Dhe kur bëhesh i tillë fatin tënd nuk mund ta ndryshojë më askush.