Zyrtarët shëndetësorë rusë kanë miratuar lejen e lëshimit nga spitali të aktivistit opozitar, Aleksei Navalny, i cili është në gjendje kome në një spital në Siberi pas dyshimeve për helmim.
Ai tani do të dërgohet në Gjermani për trajtim, raporton Rel. Ka qënë kancelarja Merkel që ka kërkuar që kreu I opozitës ruse të dërgohej në Gjermani për kurim. Fillimisht autoritetet ruse nuk kanë pranuar por pas dy orësh mjekët kanë rënë dakord për dërgimin e tij në Gjermani.
Edhe familja dhe miqtë e Navalnyt kanë luftuar për transferimin e tij në Gjermani për trajtim urgjent, mirëpo mjekët rusë kanë refuzuar një gjë të tillë për ora të tëra, duke thënë se ai nuk është në gjendje të udhëtojë.
Megjithatë, më vonë gjatë ditës së premte, zyrtari i lartë i spitalit në Omsk, Anatoly Kalinichenko, u ka thënë mediave se Navalny mund të transferohet tani, meqë gjendja i është stabilizuar.
Transporti nga spitali rus pritet të bëhet brenda ditës është cituar të ketë thënë, Kalinichenko.
Mjekët gjermanë, që kanë arritur urgjent me një aeroplan në Rusi, i cili pritet ta dërgojë Navalnyn në spitalin Charite në Berlin, janë lejuar më herët gjatë ditës që ta kontrollojnë figurën opozitare ruse.
“Ne morëm vendim që mos kundërshtojmë transferimin e tij në një tjetër spital në atë që na kanë thënë familjarët e tij”, u ka thënë Kalinichenko gazetarëve.
Gruaja e tij, Yulia i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që ta mundësojë evakuimin e burrit të saj në Gjermani për trajtim.