Artisti i njohur humb jetën nga Covid-19, ish-deputeti rrëfen bisedën e fundit me të

Artisti i njohur, skulptori Arben Bajo humbi ejtën nga Covid-19. Ikja e tij ka lënë pas trishtim jo vetëm tek familjarët, por edhe tek artistët dhe miqtë e tij.

Njëri ndër ta është edhe ish-deputeti i PD, Roland Bejko në një reagim të tij ka treguar bisedën e fundit me skulptorin Arben Bajo. Sipas Bejkos, artisti i njohur nuk kishte frikë nga Covidi, sëmundja që edhe i mori jetën.

“E pash në trotuar dhe i rashë borisë. Ktheu kokën, më pa dhe u afrua te makina. Ula pak xhamin. “Ule mor tamam”, më tha, “mos ki frikë se s’na kap ne kjo e flamosura…”, shkruan ndër rreshta Bejko.

Postimi i plotë

Iku dhe Arben Bajo. Beni luante me jetën kukafshehti, ja kështu si te kjo foto. Për herë të fundit e kam takuar disa ditë më parë pranë Akademisë. Isha duke ecur me makinë. E pash në trotuar dhe i rashë borisë. Ktheu kokën, më pa dhe u afrua te makina. Ula pak xhamin. “Ule mor tamam”,- më tha “mos ki frikë se s’na kap ne kjo e flamosura…” Shkëmbyem romuze për politikë, edhe pse Benit nuk ia ndiente shumë për të. Folëm për punimet e tij dhe për Covid. “Na ndau”,- tha, “bëhu për një kafe, ti e di ku më gjen”.

Si mund ta dija që në fakt ato dy tre minutat e bisedës në këmbë, ishin të fundmet e gati 40 vjet miqësi qysh nga koha kur akoma fëmijë, mësonim pikturë? Lamtumirë Ben, Sa herë të flitet për At Zef Pllumbin do kujtojmë ty. Sa herë do dëgjojmë këngët e Vaçe Zelës do na shafesh aty si një personazh i një videoklipi të përjetshëm! Ti u dhe jetë atyre sigurisht, por ata dhe qindra vepra të tjera ty të dhenë përjetësi të merituar. I paharuar miku im, miku ynë! Mirë u pafshim!