Ndryshimi i Kushtetutës nga një parlament i marrë peng është grusht shteti

Ermal XHELILAJ

Ndryshimi i Kushtetutës nga një parlament antikushtetues i marrë peng, është një grusht i pastër shteti kundër demokracisë, pluralizmit politik, shtetit të së drejtës dhe Shqipërisë! Synimi i vetëm i kësaj inisiative qeveritare antidemokratike e antikombëtare, që bie ndesh me normat kryesore të demokracisë si dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut, është asgjesimi i alternativave opozitare për një rotacion të natyrshëm, legjitim, paqësor dhe kushtetues politik.

Hapja e listave me anë të ndryshimeve kushtetuese nuk është në objektivin kryesor të Kryeministrit, i cili e ka kundërshtuar haptazi dhe me forcë këtë sistem gjatë kësaj periudhe, qoftë në media por edhe në Këshillin Politik. Arsyeja e vërtetë pas kësaj fasade qendron në heqjen e koalicioneve parazgjedhore, të cilat në zgjedhjet e ardhshme përbëjnë një kërcënim të madh për Kryeministrin dhe Qeverinë e tij të dështuar e të inkriminuar drejt humbjes së thellë elektorale.

Këto ndryshime kushtetuese nga një parlament ilegjitim, i përbërë nga një grup njerëzish të pamoralshëm, me një nivel të ulët arsimor, intelektual e politik, që nuk përfaqësojnë as opozitën e vërtetë dhe as elektoratin e djathtë, godasin rëndë pluralizmin politik në vend si dhe të ardhmen e Shqipërisë drejt proçeseve euro-atlantike dhe aderimin në BE.

Ky është hapi i radhës antikushtetues i kësaj Qeverie të korruptuar me në krye një Kryeministër autokrat, që e ka çuar vendin drejt një sistemi diktatorial me një ekonomi të sakatosur e sistem drejtësie të kapur, duke krijuar premisa serioze për një puç kushtetues e institutional për t’i shpëtuar ndëshkimit të qytetarëve shqiptarë me votë në zgjedhjet e ardhshme. Çfardo përpjekje që kjo kastë pushtetarësh e inkriminuar të bëj, nuk mund të ndal ndryshimin e shumëkërkuar të qytetarëve shqiptarë dhe rotacionin politik të përfaqësuar nga alternativa qeverisëse e Opozitës së Bashkuar dhe Partisë Demokratike. Sepse ndryshimin nuk ka forcë ta ndal askush!