Presidentja e Komisionit Europian takon veç e veç Hotin dhe Vuçiçin në Bruksel

Për herë të parë që nga marrja e postit, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen takoi veçmas politikanë të lartë nga Kosova dhe Serbia në Bruksel, njofton DW.

Që nga marrja e postit si presidente e Komisionit të BE, kjo ishte hera e parë që Ursula von der Leyen ka takuar krerë të lartë të politikës nga Kosova e Serbia.

Kanë qenë “diskutime të mira”, është shprehur von der Leyen pas takimeve të veçanta që zhvilloi me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti si edhe Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në selinë e Komisionit Europian në Bruksel, shkruan agjencia e lajmeve, dpa.

Von der Leyen theksoi në bisedimet me të dy partnerët nga rajoni nevojën e rifillimit të dialogut, bëri të ditur të premten zëdhënësja e saj, sipas dpa.

Dialogu Kosovë-Serbi ka ngrirë nga fundi i vitit 2018.

Një përpjekje e qeverisë amerikane nën Donald Trump për bisedime më 27 qershor në Uashington, por duke e anashkaluar BE, dështoi pasi Prokuroria e Posaçme ngriti aktpadi për krime lufte, të cilën pritet ta rrëzojë ose konfirmojë Gjykata Speciale në Hagë.

Ndërkohë Franca dhe Gjermania janë shprehur, se presin që dialogu Kosovë- Serbi të fillojë së shpejti.

“Së bashku me kancelaren Merkel, Presidenti Macron mbetet i gatshëm të presë një samit në Paris”, ka shkruar të premten ambasada e Francës në Kosovë në Twitter.