Skandal! Sanitaret në Maternitet merren me tregti, nuk kryejnë punën që paguhen…

Sanitaret në Maternitetin “Koço Glozheni” janë kthyer në tregtare duke blerë jashtë për t’i shitur brenda në spital tek pacientet artikujt e domosdoshme. Ky fenomen është kthyer në një shqetësim të madh tek qytetarët të cilët ankohen se, në vend që të bëjnë detyrën e vet si sanitare të pastorojnë dhomat e pacienteve dalin disa herë në ditë dhe mbushin çantat me artikuj të ndryshëm dhe ua shesin pacienteve me çmim sa të duan ato.Ku fenomen ndodh çdo ditë, pasi sanitaret e kanë shijuar fitimin ditor dhe pastaj presin vetëm për të marrë rrogën në fund të muajit.

Familjari i një pacienteje, i shqetësuar shprehet se, ne ndodhemi para një fakti të kryer që për të futur gjëra të domosdoshme për të shtruarat në spital, domosdoshmërisht duhet të biesh në dorën e sanitares. “Sanitaret i blejnë me çmime më të lira, ndërsa ne detyrohemi të paguajmë aq lekë sa na kërkojnë ato. Ky problem ka qënë gjithmonë, por kohët e fundit gjatë pandemisë është shtuar edhe më tepër, pasi ne familjarët nuk na lejohet të futemi brenda në dhomat e pacienteve.

Po e ngre këtë shqetësim sepse sanitaret nuk kryejnë punën që u takon, por merren me tregti dhe abuzojnë edhe me çmimet. Mendoj që neglizhenca, ose nuk e di se çfarë (?!), por çuditem se si ky fenomen nuk vihet re nga administrata!”, shprehet familjari.Edhe shumë familjarë të tjerë shprehen të indinjuar për këto veprime të palejushme nga ana e sanitareve. Ky fenomen ndodh çdo ditë në këtë insitucion edhe pse gjithçka është e monitoruar me kamera dhe kod sigurie hyrje dhe dalje.