Bizneset drejt falimentimit, pandemia godet rëndë tregtinë me pakicë

Pandemia Covid-19 ka dhënë një goditje të rëndë konsumit në tremujorin e të vitit, duke fokusuar blerjet vetëm tek ushqimet, teksa grupet e tjera të artikujve pësuan rënie të dukshme.

Sipas të dhënave zyrtare në tremujorin e parë 2020, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë u ul me 0,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 dhe krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht ka pësuar rënie 4,3 %, ndikuar kryesisht nga muaji mars.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e parë 2020 ka pësuar rritje prej 1,8 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2019. Kufizimet në lëvizje e për pasoje pezullimi i aktivitetit të transportit të automjeteve uli në mënyrë drastike konsumin e naftës. Rënia do të jetë më e dukshme në tremujorin e dytë të vitit pasi do të reflektohen të plota efektet e dy muajve të izolimit.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 5,0 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.

Volumi i shitjeve, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është ulur 0,2 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve ka pësuar rënie me 6,1 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019

Në ndryshimin vjetor prej -0,4 %, në tremujorin e parë 2020 ndaj tremujorit të parë 2019, në tregtinë me pakicë, grupet kanë kontribuar si më poshtë:

Grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” ka kontribuar me +1,3 pikë përqindje.

Grupi “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me +0,1 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” me -1,7 pikë përqindje.

Në tremujorin e parë 2020, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, ka pësuar rënie me 2,4 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, është rritur me 0,5 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është ulur me 2,0 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm. Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, është ulur 8,7 %, kundrejt tremujorit të katërt 2019.