Bizneset: “Mileti s’ka, nuk marrin dot as me listë”, Basha: Këto janë pasojat e politikës grabitqare dhe hajdutërore

Mileti s’ka, xhepat janë zero, nuk marrin dot as me listë”, bizneset në Sauk të Tiranës mes braktisjes nga qeveria dhe falimentimit.

• “Bujqësisë ia kanë pre fuqitë krejt”, fermerët në Baldushk të Tiranës takohen me Bashën: Tregu aktual ka shumë kosto.

• Basha: Këto janë pasojat e politikës grabitqare dhe hajdutërore. Programi ynë për t’i kthyer shqiptarëve dinjitetin, institucionet dhe ekonominë.

KOMUNIKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, ME BIZNESET NË SAUK DHE FERMERËT NË BALDUSHK

Kryetari i opozitës, Z. Lulzim Basha ishte sot zonën e Saukut ku zhvilloi takime me sipërmarrësit e vegjël. Në bisedën me z.Basha, tregtarët u ankuan për taksat e larta, harresën e qeverisë dhe uljen drastike të xhiros ditore. “Nuk kam marrë akoma pagën e luftës”, u shpreh një sipërmarrës i cili kishte aplikuar për paketën ekonomike që në 22 prill të këtij viti.

Mungesa e mbështetjes nga qeveria në këtë kohë krize i ka çuar bizneset në Sauk në prag falimentimi. Tre muaj pa aktivitet tregtar, të shoqëruar me neglizhencën e qeverisë, ka bërë që shumë prej tyre ta mbyllin aktivitetin dhe shumë të tjerë ta mendojnë seriozisht shpalljen e falimentit. Sipërmarrës të tjerë u ankuan për uljen drastike që xhiroja ditore ka pësuar në shume biznese të zonës. “Çmimet i kemi ulur, por populli nuk ka lekë dhe nuk vjen të blejë“- u shpreh një i ri në pronësi të një gomisterie.

Pas takimeve në Sauk, Basha u ndal në Baldushk ku dëgjoi shqetësimet dhe problemet e femrëve të zonës. Mungesa e infrastrukturës dhe pezullimi i jetës ekonomike në vend ka penalizuar shumë prej tyre. Zona njihet për tregtinë e gjelave të detit, por mungesa e rrugëve e bën shumë të vështurë transportin e qytetit. Një tjetër banor i fshatit që merrej me tregtinë e qumështit u shpreh: “Vjen kompania që mbledh qumështin dhe e blen litrin e qumështit me 480 lekë, shumë dobët”.

Fermerët dhe fshatarët e Baldushkut u ankuan për rritjen e kostos dhe uljen e fitimit. Ata shprehen se puna e fshatarëve nuk vlerësohet dhe puna e tyre shpërblehet me zero.

Kryetari i Opozitës Basha: Me të vërtetë nuk janë ditë të lehta për vendin, nuk janë ditë të mira për vendin, janë ditë shumë të vështira për shumicën e shqiptarëve, por ka një lajm të mirë dhe lajmi është që Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme dhe me një qeverisje të përgjegjshme, me një qeverisje që buron nga vota juaj dhe që përgjigjet para jush. Është plotësisht e mundur të bëjmë të paktën atë që bëjnë dhe vendet e tjera të rajonit, të bëjmë të paktën atë që bën Kosova, apo vendet e tjera fqinje, të mbështesim sipërmarjen e vogël, të fuqizojmë konsumin duke rritur fuqinë blerëse, duke çuar paratë e taksapaguesve, paratë tuaja, paratë e shqiptarëve aty ku kanë më shumë nevojë sot njerëzit dhe jo aty ku kanë më shumë nevojë oligarkët dhe ortakët e tyre të babëzitur në qeveri.

105029455 3252794044771754 1513773313275084379 o