Policia kërkon të shpërndajë me forcë protestuesit para Ministrisë së Transportit, tensionohet situata

Tensionohet situata tek protesta e punonjësve të Transportit publik, e cila po zhvillohet para dyerve të Ministrisë së Transportit.

Policia ka përdorur forcë për të shpërndarë grumbullimin e protestuesve, ku deklaron se nuk lejohet grumbullimi për shkak të pandemisë së COVID-19.

Pas thirrjeve të vazhdueshme të policisë për t’u shpërndarë për shkak të pandemisë së COVID-19, protestuesit janë shpërndarë. Ato deklaruan se nuk ishin aty për t’u përplasur me policinë, por paralajmëruan se do të dalin çdo ditë në protestë, deri sa të marrin një përgjigje për kërkesat e tyre.

Shoqata e Transportit kërkon plotësimin e disa prej kërkesave, në të kundërt nuk rifillojnë aktivitetin e tyre. Ata kërkojnë:

1- Të hiqet akciza për naftës dhe taksave për karburantin si sektori i peshkimit.

2- Të ulet TVSH-ja nga 2% në 0% për këtë vit dhe më pas në vitin e ardhshëm të jetë 6%.

3-Rimbursimin e kapacitetit të munguar si pasojë e masave kufizuese.

4- Rimbursimin në burim i kategorive të cilat përfitojnë transport falas.

5-Dje iu shtua dhe kërkesa e pagesës shtesë për shtyrjen me një javë të hapjes së shërbimit.

Anëtarët e shoqatës së transporti shprehen se është e pamundur që të zbatohet protokollet e sigurisë në autobusë, pasi nëse zbatohen nuk do të mund të hipin më shumë se 45 veta.